Analistët: BDI-ja të shqyrtojë pjesëmarrjen e mëtejshme në Qeveri

Mënyra e vetme për të dalë nga ky ngërç politik, sipas analistëve, është de legjitimimi i pushtetit aktual, pasi siç shprehen, ai nuk është i interesuar për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, por as për zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike. Në një situatë të tillë, ata sugjerojnë që partia shqiptare në pushtet të shqyrtojë pjesëmarrjen e mëtejshme në qeveri, transmeton Alsat M.

“Sa i përket partisë pjesëmarrëse në pushtet duhet të rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj në qeveri pasi tanimë është e qartë se VMRO DPMNE-ja nuk është e interesuar për të bërë hapa përpara drejt integrimeve, nuk gjen formë më të sofistikuar dhe më diplomatike për të zgjidh çështjen e emrit. Unë mendoj se duhet të jepet mësim vetëm kur ajo spostohet në opozitë”, tha Ismet Ramadani, analist.

“BDI është shndërruar në parti jo legjitime dhe nuk ka legjitimitet BDI-ja të merret me politike sepse dëshmoi se nuk është parti politike por oligarki që merret më tepër me punët e veta, me krimet e veta dhe interesat e veta dhe assesi me çështjet politike…”, deklaroi Alajdin Demiri, analist.

Nga ana tjetër, analistët vlerësojnë se edhe opozita duhet të konsolidohet dhe ofrojë zgjidhje konkrete për daljen e vendit nga kriza.

“Opozita qoftë ajo maqedonase qoftë ajo shqiptare duhet të konsolidohet mirë, të unifikohet mirë. Në paraqitjet e veta të jetë konstruktive dhe të ofrojë alternativa që janë të kapshme për qytetarët, dhe njëkohësisht japin shpresë dhe optimizëm për të dalë nga kriza edhe politike dhe ekonomike dhe ndëretnike”, u shpreh Ismet Ramadani, analist.

“Opozita duhet të kthjellohet dhe të fillojë të merret me politikë sepse e ka rastin pozitiv në këtë situatë amullie dhe keqpërdorimit të politikës për qëllime personale ajo mund të ketë sukses”, tha Alajdin Demiri, analist.

Në një kohë kur vendi ballafaqohet me probleme serioze në të gjitha fushat, analistët politik i bëjnë thirrje edhe shoqërisë civile për ndërgjegjësim dhe veprime konkrete. Sipas tyre, sektori joqeveritar nuk duhet të instrumentalizohet dhe veprojë si dorë e zgjatur e pushtetit por të qëndrojë në anën e qytetarëve dhe luftojë dukuritë negative me të cilat përballet shoqëria.

Lajme të ngjashme

Back to top button