Rrugëtimi i njeriut të partisë drejt tenderit të madh

Ndërrimi i pushtetit  në Pejë  solli edhe ndryshimin e kompanisë së kontraktuar për sigurimin fizik të objekteve të administratës komunale. Pushteti lokal më 4 qershor të këtij viti vendosi që për këtë tender të madh komunal  të angazhojë Kompaninë “Energjia” në pronësi të Kapllan Nikqit, një i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës që udhëheq Pejën, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë. Ai vitin e kaluar merrte pjesë në fushatën zgjedhore të kryetarit aktual Gazmend Muhaxheri dhe i kishte rënë që të vendosej në rreshtin e dytë, kur ai parakalonte nëpër sheshin e qytetit.

Nikqi, pronari i Kompanisë “Energjia”, është nga fshati Zahaq i Pejës dhe gjatë vitit 2002-2003 ishte shofer i Ali Lajçit, ish kryetarit të Pejës nga radhët e LDK-së.

Nikqi ka lidhje familjare me ish-kryetarin e Kuvendit Komunal të Prishtinës Salih Gashit (LDK), i cili udhëhoqi kryeqytetin e Kosovës-Prishtinën- në  vitet 2000-2002.

Salih Gashi është kushëri me Shkumbin Gashin, nënkryetarin aktual të Pejës.

Shkumbin Gashi kishte rol të rëndësishëm në përfitimin e tenderit nga Nikqi.

Ai më 18 prill të këtij viti u emërua në pozitën e kryetarit të Komisionit Vlerësues të tenderit, përkundër që nuk i lejohet një veprim i tillë për shkak se është staf politik në qeverisjen lokale.

“[Stafi politik] nuk mund të emërohen në komisione, për arsye se ata konsiderohen  zyrtarë me autorizime të posaçhme dhe ka mundësi dyshimi se mund të kenë ndikim te antarët tjerë  në vendimmarrje”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Abdyl Limani, ekspert i prokurimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.

Shkumbin Gashi ende nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë.

Para se kompania e  Nikqit të angazhohej si kontraktore e komunës, ishte një kompani tjetër e lidhur me ish-zyrtarë të lartë të qeverisjes lokale të AAK-së që e kryente këtë punë.

Njëri prej aksionarëve të kompanisë “Magnum”, Leonard Shabanaj, në qeverisjën e AAK-së mbante pozitën e zyrtarit të lartë të Drejtorisë së Arsimit, ndërsa tjetri aksionar, Vllaznim Përgjegjaj, atë të financave në këtë drejtori.

Kontrata me këtë kompani skadoi më 2 prill të këtij viti.

Komuna e Pejës në muajin prill publikoi njoftimin për kontratë ku mund të konkurronin kompanitë e sigurimit fizik për të ofruar këtë shërbim.

Kompania e Nikqit e papërvojë në fushën e sigurimit fizik

Kompania e Nikqit që ishte themeluar si biznes më 8 janar të këtij dhe disa muaj më pas ishte licencuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për të ofruar shërbime të sigurimit fizik.

Kompania “Energjia” krijoi një konzorcium me një kompani me përvojë nga Prizreni, në pronësi të Arbër Elshanit, e cila kishte kryer punë të ngjashme më herët.

“Energjia” dorëzoi në Zyrën e Prokurimit të Pejës dokumentet që dëshmojnë përvojën e partnerit të saj-Kompanisë “N.Sh Panther” nga Prizreni në pronësi të Arbër Elshanit.

Nënshkrimi i kontratës dyvjeçare mes Komunës së Pejës dhe konzorciumit të kompanive “Energjia & N.SH Panther”, u nënshkrua më 4 qershor të këtij viti.

Fitimi i tenderit nga kjo kompani u njoftua nga qytetarë pejanë në platformën KALLXO.com.

Ndërkohë oferta e konzorciumit me çmimin prej 1 euro e 6 centë ishte përzgjedhur më e mira në mesin e 15 konkurrentëve.

Në kontratë thuhet se kontraktori do të bëjë sigurimin e objekteve të administratës komunale, objekteve kulturore dhe atyre shëndetësore.

Bazuar në kontratë, numri i punëtorëve duhet të jetë  55, por mund të variojë varësisht prej kërkesave të autoriteteve komunale.

“…por nuk guxon assesi të tejkalojë shumën buxhetore të paraparë për vitin 2014, e cila është 188 mijë euro. Kurse për vitin tjetër varet nga planifikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASh)”, thuhet në kontratën e lidhur mes palëve.

Largimi nga puna i punëtorit të licencuar 

Kompania “Energjia” obligohej që të dorëzonte në Zyrën e Prokurimit një listë prej gjashtë punëtorëve të licencuar nga Ministria e Brendshme për ofrimin e shërbimeve themelore të sigurisë.

Njëri ndër ta ishte edhe Armend Berisha nga fshati Kliçinë i Pejës.

Por ai u largua nga puna më 12 qershor, tetë ditë pas nënshkrimit të kontratës mes Komunës së Pejës dhe Kompanisë “Energjia”.

“Kam punuar deri të shtunën më 12 qershor. Më ka ardhur një telefonatë ku  dikush më  është prezantuar se është staf i kompanisë ‘Energjia’. Më ka thënë ti mos dil në punë”, thotë ai.

Berisha thotë se ka kërkuar nga telefonuesi që të dijë arsyet.

“Më ka thënë se kontratë me ty nuk kemi edhe s’ke nevojë me dalë në punë”, thotë Berisha.

Megjithatë, ai kishte vazhduar të shkojë në punë deri më 20 tetor të këtij viti, derisa stafi i Kompanisë “Energjia”, kishte ndërruar cilindrin e derës së objektit komunal në fshatin Leshan.

Berisha kishte punuar në këtë vend që pesë vjet. Fillimisht si punënjës i Kompanisë “Black Wolf” që u kontraktua nga Komuna e Pejës më 2009, e më pas si punënonjës i Kompanisë “Magnum” prej 2012-ës deri më 2014.

Shpërfillet vendimi i Inspektoratit të Punës

Përveç Berishës, ankesa në drejtim të kompanisë kanë bërë edhe disa punëtorë tjerë të larguar nga puna.

Halil Brahimaj, Mehmet Peli dhe Rexhep Gashi që kishin punuar më herët për ish-kontraktorët privatë të Komunës së Pejës, thonë se Kompania “Energjia” i largoi nga puna duke i njoftuar vetëm nëpërmjet telefonit.

Ata iu drejtuan Inspektoratit të Punës që operon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Inspektorati në raportin zyrtar që mban datën 23 shtator 2014 konkludoi se Kompania “Energjia” largoi në mënyrë të kundërligjshme punëtorët që kishin punuar më herët për ish-kontraktorët komunalë për sigurim të objekteve publike.

“Sikurse kanë vepruar punëdhënësit paraprakë, është dashur që të veprojë edhe kompania e re ‘Energjia’, që t’ua ripërtërijë kontratat e punës edhe për dy vjetët e ardhshëm të gjithë të punësuarve si dhe t’ua paguajë pagat e mbetura, kontributet dhe detyrimet tjera ligjore”, thuhet në raportin e Inspektoratit.

Vendimi i Inspektoratit obligon Zyrën e Prokurimit dhe Drejtorinë e Administratës së Komunës së Pejës që të urdhërojë kompaninë-punëmarrësin “Enegjia sh.p.k” si operatori ekonomik për dy vjet në vijim që t’i pranojë të gjithë të punësuarit të cilët kanë qenë të punësuar te punëdhënësi paraprak.

Pronari i kompanisë Kapllan Nikqi ka thënë se nuk ka asnjë obligim për punëtorët e kompanisë paraprake dhe nuk deshi të komentojë lidhur me fitimin e tenderit nga autoritet komunale.

“Unë obligime për ta nuk kam. I kam punëtorët e mi. Nuk kam çka me ju ba”, ka thënë Nikqi nëpërmjet telefonit.

Mirëpo lënda nuk ka ndaluar vetëm në duart e Inspektoratit të Punës, ajo ka kaluar edhe te Policia e Krimeve Ekonomike dhe Prokuroria Themelore e Pejës.

Sahide Gashi, prokurore e krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se rasti është duke u hetuar.

“Detaje të tjera në fazën e hetimit nuk mund të bëhen të ditura për opinionin”, tha Gashi.

Ndërkaq, në anën tjetër, Gazmend Muahaxheri, kryetari i Pejës, thotë se Kompania “Energjia” ka ofruar çmimin më të lirë të përgjegjshëm dhe për këtë arsye është shpallur fituese në mesin e 15 konkurrentëve.

Ndërsa lidhur me vendimin e Inspektoratit të Punës, Muhaxheri tha se kompania është private dhe nuk bart obligime për ish-punëtorët e kontraktorit të mëhershëm dhe se Nikqi nuk është i afërt me LDK-në.

“Ai [Nikqi] është i afërt me ish-partinë në pushtet-AAK-në”, tha Muhaxheri, por pa ofruar argumente për këtë pohim.

Lajme të ngjashme

Back to top button