Limaj: S’ka shpresë se 2015-ta do të jetë më e mirë

Kryetari i partisë, Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj në një bisedë për Telegrafin ka thënë se sukseset më të mëdha të vendit janë në sport, ndërkaq dështimin më të madh e vlerësoi gjendjen ekonomike, që sipas tij është e vështirë në të gjitha fushat.

Ai tha sukseset në sport janë ai i Majlinda Kelmendit dhe anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Një qeverisje e papërgjegjshme në vazhdimësi në vitet e fundit, është shpërfaqur në këtë vit që po e lëmë pas, pra në vitin 2014. Për 3 vitet e fundit është munduar të kamuflohet gjendja reale në Kosovë, ndërsa në vitin 2014 ne të gjithë jemi dëshmitarë ku kriza e madhe është shpërfaqur dhe thelluar, viti 2014 i ka nxjerrur jashtë të gjitha të metat e kësaj qeverisje, duke e karakterizuar këtë vit si vit i krizës më të madhe, ekonomike, sociale, mungesa e investimeve, mungesa e një jete më të mirë, ku në të gjithë sektorët vendi ka degraduar. Viti 2014 është vit i cili ka vu në pah të gjitha defektet e funksionimit si shtet të Kosovës fatkeqësisht. Faktori kryesor për këtë gjendje është qeverisja e keqe disa vjeçare që ka mbretëruar në vendin tonë”, u shpreh Limaj.

Sipas tij, rreziku më i madh për Kosovën vazhdon të jetë qasja e pa përgjegjshme e institucioneve shtetërore në raport me shtetin dhe tendenca për legalizim të kësaj papërgjegjshmërie masive që po ndodh në Kosovë.

“Pra, jemi dëshmitarë se këtu mungon llogaridhënia, këtu është kapur shteti, është institucionalizuar kapja e shtetit dhe kjo situatë në të cilën gjinden institucionet e Kosovës nuk jep shpresë”, tha ai.

Prijësi i partisë Nisma për Kosovën vlerësoi se sfida kryesore e vendit tonë vazhdon të jetë problemi ekonomik, dhe fatkeqësisht parashikoj që edhe në vitin 2015 kriza në Kosovë do të thellohet edhe më shumë, ku do mund të shtohet papunësia sepse nuk po sheh asnjë shenjë që qeveria do të ketë përgjigje për t’i sfiduar dhe ndalur këto, e për tu dhënë një drejtim tjetër vendit.

“Për fat të keq nuk kam ndonjë shpresë të madhe se vendi im në 2015-në do të jetë më mirë se sa në vitin që po e lëmë pas, në këtë drejtim jam pesimist. Dyshoj që kjo qeveri do të ketë kapacitet për t’i përballuar të gjitha sfidat me të cilat do të ballafaqohet vendi në vitin 2015, problemet ekonomike, shtimi i numrit të papunësisë, problemet sociale, etj. Ndërsa, mesazhi im për qytetarët e vendit është që të bashkohen dhe të mos lejojnë që ky vend të keqqeveriset, sepse ju e patë miratimin e buxhetit për vitin 2015, poashtu ju e dini se në zgjedhjet e fundit ky koalicion qeverisës ka premtuar hapjen e mbi 200 mijë vendeve të punës, që i bie nga 50 mijë vende pune çdo vit, kanë premtuar rritje të pagave, rritje të investimeve, shëndetësi më të mirë, arsim më cilësor, dhe ju tani e shihni se të gjitha këto premtime nuk kanë gjetur asnjë hapësirë në buxhetin e vitit 2015, pra ata mashtruan, manipuluan me vullnetin e qytetarëve, por mos lejoni që kjo të përsëritet, por duhet një përgjigje e qytetarëve ndaj atyre që e kanë denigruar vendin, përndryshe, ata do të vazhdojnë të keqqeverisin. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button