2014, vit i zymtë i konflikteve (Video)

Viti 2014 ishte një vit i zymtë, i mbushur me trazira e konflikte.

Aneksimi i Krimesë në Ukrainë, luftimet në rajonet lindore të saj që vunë në kurs përplasjeje Perëndimin me Rusinë, problemet në Gaza që nuk zgjidhen kurrë, por vetëm fashiten pak për të shpërthyer sërish, dalja në skenë e ISIS-it, Ebola që u duk se u vu nën fre në Afrikë por që jep shenja rikthimi, masakra e fundit në një shkollë ushtarake në Pakistan, vrasjet e studentëve në Meksikë apo dhe triumfi i ekstremit të djathtë në zgjedhjet europiane në muajin maj, të gjitha tregojnë se në çdo kontinent, përgjatë vitit që lëmë pas situata sociale dhe politike kanë qenë të vështira.

Europa e gjeti veten duke u zhytur në një luftë diplomatike me Rusinë, në një kohë kur edhe problemet e brendshme nuk i kishte të pakta. 2015-a, sipas Jean Claude Juncker, mund të sjellë ndonjë ndryshim.

Megjithatë, kreu i Komisionit Europian kujdeset që t’i ulë pritshmëritë duke përdorur shprehjen: “do të ketë një puhizë të freskët, por jo stuhi”.

KE dëshiron t’i japë bllokut një shtysë të re sidomos për krijimin e vendeve të punës dhe për programin e investimeve në vlerë 315 miliardë euro.

“Megjithatë, rekuperimi i financave publike do të mbetet i rëndësishëm”, tha Juncker duke kufizuar pritjet e ekzagjeruara në vendet në krizë ekonomike si Italia dhe Franca.

Gjermania do të vazhdojë t’i ketë punët mirë, por pothuajse të gjitha shtetet e tjera të mëdha të eurozonës do të kenë rënie.

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë e një rrëshqitjeje të re të Greqisë në krizë, ngërçi i euros ka shumë gjasa të rikthehet në 2015-n, ndërsa nuk janë të papërfillshme gjasat e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button