Top yjet e skenës muzikore në vitin 2014 (Video)

Skena muzikore shqiptare ka qenë përplot me muzikë këtë vit – por rrjedhimisht me më pak hite prej të mëdhenjve për dallim nga viti 2013.

Të themi se s’ka pasur hite nuk është e drejtë, mirëpo në fakt nuk ka pasur superhit përkundër sasisë mjaft të madhe. Renditja e mëposhtme nuk i kategorizon artistët. Më poshtë janë këngëtarët që arritën të mbajnë primatin në skenë dhe të justifikojnë peshën e emrit të tyre.


Elvana Gjata

Këngëtarja e njohur shqiptare vazhdon të jetë në nivelin më të lartë të skenës muzikore shqiptare. E filloi vitin me këngën “Disco” që u shndërrua në një hit pranveror me krijuesit natyralë të hiteve, Kaos.

Në vazhdim, më shumë se sa me këngën “Puthe” nga ana muzikore, ajo i kënaqi fansat me video selfiet në koncerte dhe postimet në rrjete sociale. Arriti të jetë fytyrë e AlbTelecom, ku realizoi një kampanjë reklamimi mjaft me sukses. Elvana po vazhdon të garantojë se edhe një kohë do të jetë në atë nivelin e lartë, ku nuk janë shumë këngëtare të skenës tonë.

Tuna

Pas superhitit “Fenix” dhe pasi shkeli gjithçka para vetes në vitin 2013, prej Tunës u prit shumë në vitin 2014. Dhe, ajo arriti në një farë forme të përmbushë pritjet e fansave të saj dhe publikut pasi publikoi tre projekte dhe suksese tjera në spektakle televizive. Së pari ia uroi të dashurit të saj Cozman, Shën Valentinin me këngën “Babe”. Më pas vazhdoi puna drejt projektit “MMV” me Getoar Selimin – një projekt i përmasave gjigante me marketing të tej-zgjeruar. Arriti 7 milionë klikime dhe u konsiderua prej këngëve më të suksesshme të verës, ku edhe mediat ruse i cilësuan artistët si “të parët e Ballkanit”. (Foto)

Shkëlqimi i Tunës në këtë vidoeklip me brendin KTZ, i garantoi asaj një ftesë nga brendi që vesh Rihannan, Jay Z dhe yje tjera botërore – që ajo të shkojë në Londër dhe të realizojë një fotosesion (i cili publikohet në vitin 2015).

E filloi serinë e dytë të turneut Fenix Tour 2, me performanca speciale, ku janë përfshirë robotë, valltarë e performanca ‘live’ me bend në disa prej klubeve më të mëdha shqiptare. Vetëm Tuna dhe Elvana Gjata patën guximin që të performojnë me bend në klube të natës në verën që lamë pas dhe lufta mes këtyre dy top këngëtareve po vazhdon, megjithëse Tuna dhe menaxhmenti i saj jo rrallë herë ka thënë se ka hapur e para dimension të ri. I një fryme të re ishte edhe projekti “Pardon”, një projekt muzikalisht më ndryshe që arriti 3 milionë klikime, më shumë se konkurrentja e saj direkte që lansoi dy projekte, Dafina Zeqiri. Tani Tuna po merr pjesë në “Dancing ëith the Stars”, pas dy triumfeve në X Factor. Pritet shumë më shumë në vitin 2015 në aspektin muzikor, e mbetet të shihet për çfarë po mendon këngëtarja që jo rrallë herë ka surprizuar publikun.

Dafina Zeqiri

Dafina pati një vit të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore, me projekte të shumta – por assesi që nuk u shndërruan në superhite, një epitet që para dy vitesh këngëtarja nuk e kishte lehtë ta realizonte në praktikë. Ajo padyshim se ka evoluuar muzikalisht, është zhvilluar dhe pjekur në këtë aspekt, pasi që po sjell projekte që kanë doza të anglishtes dhe që janë ndryshe për tregun shqiptar.

Suksesi më i madh i këtij viti mbetet projekti “Got Ur Back” me Ledri Vulën, me të cilin u bashkua muzikalisht, por jo edhe në mënyrë romantike, pavarësisht që fansat menduan se ata edhe janë sërish në lidhje – kjo gjë kurrë nuk ndodhi.

Vazhdoi me projektet “Ndjenjë Tjetër”, “MSD” dhe “IAM” që u karakterizuan me sukses, por jo të atij lloji që pritet nga këngëtarja. Pavarësisht të gjithave, Dafina mbetet një prej atyre këngëtarëve të nivelit të lartë të skenës tonë prej të cilave pritet shumë në vitin e ardhshëm.

Flori Mumajesi

Një vit shumë i mirë në karrierën e Flori Mumajesit ishte padyshim viti 2014. Ai lansoi së pari hitin e madh “Ke”, që u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe që u bë një hit i madh i diskotekave.

Kantautori shqiptar zhvilloi në vazhdimësi kompaninë e tij “ThreeDots”, por nuk ndaloi as me projektet e tij. Shpërthimin e madh e pati me projektin “Ta boja me drita”, që u shndërrua në sensacion të publikut, me performanca që karakterizonin drita dhe shumë energji.

Suksesi i madh i Florit për këtë vit vazhdoi me projektin “Ku Isha Unë”, bashkëpunimi me Argjentinën teksti i të cilës u shpall kënga me tekstin më të mirë për vitin 2014, një baladë e bukur e Florit që mbetet një prej ogurëve të mirë të muzikës shqiptare.

Elita 5

Rok grupi legjendar shqiptar tregoi edhe një herë pse e gëzon këtë epitet. Me albumin “Mohikani i fundit” sollën disa këngë fantastike, ku hiti më i madh doli të jetë super projekti “Më fal”.

I punuar nga Pro Video, videoklipi fenomenal i kësaj kënge jep shpresa se arti vizual bashkë me muzikën s’kanë vdekur në trojet tona. Tre milionë klikime i gëzon kjo këngë, pa asnjë dyshim me plot meritë. Në vijim u publikua edhe kënga “Gabim”, një bashkëpunim me Mimoza Shkodrën, kurse i tërë albumi mund të blihet në internet.

Elita 5 kështu publikoi me sukses atë që është albumi më i mirë i vitit 2014, në një industri muzikore ku albumet është rrezik t’i lansosh, e ‘singlat’ mbeten ideale për të përfituar.

Vlen të përmenden:
Blero – suksesi me këngën “N.U.N”

Samanta Karavella – suksesi me hitin “Ti se din se”, mbi 5 milionë klikime.

Nora Istrefi – suksesi me këngën “Baby Jem” që i parapriu martesës me Robert Berishën.

Genta dhe Ardian Bujupi me projektet “Feel”, “All Night” dhe “Boomrakatak”.

Lajme të ngjashme

Back to top button