“Jetë me qira” e Teatrit shqiptar sonte në “Vera e Ohrit”

Autori Refet Abazi në bashkëpunim me regjisorin Luca Cortina sjellin para audiencës së festivalit “Vera e Ohrit 2013” projektin e tyre të ri, shfaqjen “Jeta me qira”. Pritet që sonte audienca të shijojë frutat e bashkëpunimit të shkëlqyer të vërtetuar që në dramën “Akuariumi” e cila u prit aq mirë vitin e kaluar në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë.

Jam munduar ta përpunoj realitetin në të cilin jetojmë ne, kështu që kam krijuar një realitet fiktiv ku ngjarja ndodh në teatër, shpjegon për Portalb autori Refet Abazi.

“Kur një regjisor i ri vjen të bëjë një shfaqje dhe përballet me probleme ku aktorët janë plotësisht të tjetërsuar nga jeta, të cilët nuk kanë identitet por mundohen të fshihen pas një forme pa përmbajtje. E njëjta gjë ndodh te ne, njerëzit konsiderohen si shifra si persona që mbushin listat zgjedhore si makineri votuese. Ky lloj të huajëzimi nga vetë jeta, krijon njerëz të përshtatshëm për manipulim, dhe regjisori kur ballafaqohet me ketë realitet ai humb dëshirën për punë, atij në ndihmë i vjen një person që më së paku pritet ti ndihmojë, vet pronari i teatrit.

Më pas ata bashkë krijojnë një dramë të re ku aktorët fiktivë janë më të gjallë se vetë aktorët që jetojnë dhe punojnë në atë teatër. Duke u endur mes këtyre dy realiteteve regjisori arrin ta realizojë projektin e tij duke u mbështetur në personat që nuk janë konformistë . ” tregon Abazi.

Ai shprehet tejet i kënaqur nga ekipi që ka punuar në këtë shfaqje.

 “Shpresoj dhe besoj se publiku do ta përjetoj këtë që ne jemi munduar ta shprehim në mënyrë artistike. Duhet që teatri nuk mund të ofrojë zgjidhje të problemeve shoqërore por ofron një këndvështrim tjetër të çështjeve aktuale “ thotë Abazi.

Me këtë shfaqje e tregojmë gjithë mundin e regjisorit të ri për të krijuar kulturë artistike në një rreth i cili më shumë dëshiron ti gurojë artistët se sa ti len ata të lirë të punojnë, thotë për Portalb regjisori italian Cortina.

“Është një shfaqje satirike me njerëzit e botës së teatrit dhe ata real” thekson ai.

“Me siguri kur jepet një mund serioz, një mund për të sjellë diçka të re dhe jo-konvencionale në botën e teatrit mbretëron një situatë e panjohur për atë se si do të pranohet e njëjta. Por ne kemi arritur nivelin më të lartë të përgatitjes për këtë shfaqje dhe jam i kënaqur nga të gjithë” thotë për Portalb, Cortina.

Në rolet kryesore janë angazhuar Gresa Pallaska, Xhevdet Jashari, Besfort Idrizi, Adem Karaga, Musbajdin Qamili, Amernis Nokshiqi-Jovanovska, si dhe aktori Hismet Ramadani, i cili rikthehet në skenë pas një periudhe relativisht të gjatë abstenimi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button