Organizimi administrativo-politik i Mbretërisë së Norvegjisë

Mbretëria e Norvegjisë (Kongeriket Norge) është një monarki kushtetuese. Shtrihet në pjesën veriore të gadishullit Skandinav. Ky vend “nordik” është një ndër shtetet me të ardhura më të larta për kokë banori në botë, për shkak të burimeve natyrore të naftës dhe industrisë së zhvilluar të drurit, peshkatarisë dhe turizmit. Norvegjia ka mbi 4.873 milion banorë, ku 100% e popullsisë është e arsimuar. Administrata është e ndarë në nëpunës të karrierës dhe personelit të përzgjedhur.

Historia e zhvillimeve politiko-juridike në Mbretërinë e Norvegjisë mund të karakterizohet në tre periudha, edhe atë: periudha e vikingëve mes viteve 800-1000; periudha e krijimit të kurorës Mbretërore dhe lidhja e Kurorave të përbashkëta me Danimarkën dhe Suedinë nga viti i largët 1030 e deri më 1905; dhe nga viti 1905 e deri më tani. Familja mbretërore norvegjeze u bashkua me familjen mbretërore suedeze në vitin 1319 dhe më pas me atë daneze në vitin 1380.

Norvegjezët treguan hapur pakënaqësinë për bashkimin me Suedinë dhe në vitin 1905, Suedia u detyrua të njohë pavarësinë e Norvegjisë. Norvegjezët e shprehën vullnetin e tyre për shkëputje nga Suedia me referendum. Qeveria norvegjeze ia ofroi kurorën e Norvegjisë princit Carl të Danimarkës. Në një referendum të dytë, shumica e norvegjezëve me të drejtë vote përkrahu monarkinë si formë organizimi të shtetit dhe princin Carl si mbret të Norvegjisë. Në kurorëzimin e tij si mbret i Norvegjisë, princi Carl mori emrin Haakon VII. Familja mbretërore norvegjeze së bashku me familjen mbretërore të Danimarkës i përket shtëpisë princërore të Gjermanisë veriore Schleswig-Holstein-Sonderburg-Glücksburg, një nga degët e shtëpisë mbretërore në Oldenburg.

Principet kryesore të Kushtetutës janë miratuar në të njëjtat ideale që janë shprehur në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1787) dhe Deklaratës Amerikane për pavarsi (1776), si dhe me Kushtetutën e Republikës së Francës (1791, 1793, 1795), se: sovraniteti i takon popullit, ndarja e pushteteve dhe të drejtat civile. Më 17 maj, të vitit 2014, u shënua dyqindvjetori i Kushtetutës, të miratuar nga Asambleja Kushtetuese në Eidsvoll.

Institucionet politike dhe ndarja administrative

Organizimi i sistemit administrativo-politik Norvegjes është mjaft kompleks, sepse paraqitet si një monakri kushtetuese me një demokraci përfaqësuese të qëndrueshme dhe super të fuqishme. Pushteti ekzekutivo-administrativ i përket qeverisë e cila është përgjegjëse para Parlamentit, ndërsa pushteti lokal është dy-shkallësh.

Mbreti

Ashtu edhe siç e cekëm edhe më lart, që nga viti i largët 1030 u themelua Lidhja e kurorave të përbashkëta të tre shteteve nordike: Norvegjisë, Danimarkës dhe Suedis. Mbreti është kreu i shtetit, por nuk ka fuqi politike. Nën kompetencën e  të cilit janë: nënshkrimi i ligjeve, dekreton qeverinë, merr pjesë në seancat parlamentare dhe në seancat e Këshillit të Shtetit, mban kontakte të rregullta me familjet e tjera mbretërore në botë etj.

Storting (Parlamenti)

Sipas nenit 49 të Kushtetutës së Mbretërisë së Norvegjisë të vitit 1814, “Populli e ushtron pushtetin legjislativ nëpërmjet Stortingut, i cili përbëhet nga dy departamente, Lagtingu dhe Odelstingu”. Që nga miratimi i Kushtetutës nga Asambleja Kushtetuese në vitin 1814, Stortingu ka qenë parlament bikameral (dy-dhomësh), pra i përbërë nga Odelstingu dhe Lagtingu, ndërsa më 20 shkurt të vitit 2007, Stortingu ka sjellur një procedurë të re legjislative, ku nga organ dy-dhomësh është shndërruar në parlament një-dhomësh, e që sot njihet vetëm me emrin Storting, ku më saktësisht në nenin 49 të Kushtetutës (e ndryshuar/plotësuar) thuhet se: “Populli e ushtron pushtetin legjislativ nëpërmjet Stortingut”.

Stortingu është arena supreme për debat politik dhe e vendim-marrjes në Mbretërinë e Norvegjisë.  Stortingu përfaqëson shprehjen e fundit të sovranitetit të popullit norvegjez.  Nëpërmjet Stortingut, është populli që qeveris vendin, që sjell legjislacionin, autorizon shpenzimet publike, të vendosë taksat dhe e kontrollonë punën e Qeverisë dhe administratën publike. Ka 169 anëtarë (përfaqësues) të zgjedhur të Stortingut.  Zgjedhjet parlamentare mbahen çdo katër vjet.

Administrata e Stortingut është e përbërë nga nëpunës të karrierës dhe personelit të zgjedhur. Si personel i zgjedhur bëjnë pjesë këshilltarët dhe ekspertët e fushave të ndryshme. Po ashtu vlen të theksohet se administrata është e ndarë në dy objekte, ku të zgjedhurit politik (deputetët dhe këshilltarët) janë të vendosur në objekt të veçantë dhe nuk kanë kontakt të drejt për drejt me nëpunësit e përhershëm, me çka evitohen kontaktet e vazhdueshme mes nëpunësve dhe përfaqësuesve politik, që kontribuon në profesionalitetin dhe paanshmërine e punës së administratës.

Qeveria

Qeveria si term në gjuhën e përditshme ka dy kuptime: Kryeministri dhe ministrat të cilët e përbëjnë Këshillin e Shtetit i kryesuar nga Mbreti, dhe Kryeministria apo Këshilli i ministrave ku bëjnë pjesë zyrtarët qeveritar si kryeministri, ministrat dhe zyrtarët e lartë shtetëror (drejtorët e agjensioneve), mbledhjet e së cilës udhëhiqen nga kryeministri. Kushtetuta ka përcaktuar se cilat çështje duhet të vendosen zyrtarisht në Këshillin e Shtetit të kryesuar nga Mbreti, ku më pastaj të mund të merret vendimi dhe të ekzekutohet nga ministria kompetente. Në kuadër të qeverisë norvegjeze kemi 17 ministri dhe një kryeministër.

Në kuadër të zyrës së Kryeministres Erna Solberg (Partia Konservative) kemi dy njësi të veçanta administrative, njësia për çështje administrative dhe njësia ku bëjnë pjesë stafi politik. Në kuadër të njësisë për çështje administrative janë të punësuar rreth 80 administrator me status të nëpunësve të karrierës, të ndarë në tre departamente, nën udhëheqjen e Sekretarit të Qeverisë: departamenti për çështje administraive, departamenti i punëve të brendshme dhe departamenti për çështje ndërkombëtare. Po ashtu në kuadër të njësisë për çështje administrative funksionon edhe seksioni për komunikim. Ndërsa si pjesë e stafit politik bëjnë pjesë: një ministër (zakonisht Ministri i punëve të jashtme), gjashtë sekretarë shtetëror dhe dy këshilltarët politik. Ministri është udhëheqësi i stafit politik, i cili është përgjegjës për koordinim. Në legjislacionin e Norvegjisë eksistojnë dy ligje mbi marrëdhëniet e punës: ligji i përgjithshëm për punësim (Arbeidsmiljeloven) dhe ligji për shërbim në shtet (Tjenestemannsloven).

Qeverisja lokale

Qeverisja lokale në Norvegji është e ndarë dy nivele, në 19 regjione të quajtura fylke dhe 431 njësi më të vogla të quajtura kommuner-komuna. Regjionet apo siç njihen si njësitë e nivelit më të lartë kanë funksion të koordinimit në mes pushtetit lokal dhe qeverisjes qendrore.

Në bazë të kësaj që u theksua më lart, mund të konstatojmë se Mbretëria e Norvegjisë paraqet një shtet me demokraci të zhvilluar e cila krijon institucione të qëndrueshme që arrijnë të prodhojnë stabilitet dhe siguri, sundim të ligjit dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Posedon me administratë efikase dhe të hapur që në fokusin e së cilës gjithmonë është qytetari dhe interesi i përgjithshëm shoqëror, e cila gjithashtu është ndarë nga punonjësit e zgjedhur të njohur si staf politik.

Lajme të ngjashme

Back to top button