BESA: Viti që lëmë pas, më i kobshëm për shqiptarët!

“Viti 2014 për Maqedoninë ishte një vit katastrofal, ndërsa për shqiptarët në këtë vend viti më i kobshëm”, ky është konstatimi që ka bërë Lëvizja BESA sa i përket vitit që po e lëmë pas. Në një konferencë për shtyp, Bilall Kasami koordinator i Këshillit Nismëtar për Themelimin e Lëvizjes BESA, ka numëruar te gjitha ngjarjet që shënuan këtë vit e që sipas tyre kanë “degraduar dhe dëshpëruar shqiptarët e Maqedonisë, një degradim që nuk është përjetuar as në kohën e monizmit”.

“Këtë vit na ndodhi 19 qershori – dita kur të dyja subjektet shqiptare u bënë bashkë, njëra drejtpërdrejt e tjetra tërthorazi, por të dyja tok për zgjedhjen e presidentit dhe më pas për votimin e qeverisë së re. Dhe, siç e dini, as presidenti nuk u bë konsensual, as kryetari i Kuvendit nuk u bë shqiptar, as ministrat më të rëndësishëm nuk folën shqip, thjesht kishim një reprizë të bezdisshme dhe një disfatë të dhimbshme”, ka deklaruar Kasami.

Më tutje, Kasami ka përmendur edhe dështimet lidhur me integrimet në NATO dhe BE, rastin Monstra, mos miratimin e ligjit për ushtarët e UÇK-së

“Sivjet përfundoi procesi “Monstra”, në të cilin 6 shqiptarë të rinj u gjykuan pa të drejtë me gjykim të përjetshëm, pastaj na ndodhi rasti i dhunës ndaj shqiptarëve në Radishani, ai i djegies së pronave të shqiptarëve në Gjorçe Petrov, nuk u rregullua çështja e gjuhës shqipe, nuk u miratua ligj për UÇK-në, u thellua edhe më shumë varfërimi i shqiptarëve, shpërngulja jonë jashtë vendit dita-ditës po rritet, u soll buxheti më diskriminues në historinë politike të shqiptarëve, kultura shqipe u anashkalua gati totalisht, arsimi i shqiptarëve u degradua skajshmërisht, aq sa edhe 4 emra të shkollave nuk mundën të ndërroheshin, dhe e gjithë kjo u kurorëzua me poshtërimin më të madh që iu bë shqiptarëve në Maqedoni – një herë nga deputetët që, u rrahën si mos më keq mes vete në Kuvend dhe, së dyti, kur ministrat shqiptarë e votuan stemën e VMRO-së si stemë shtetërore, duke e quajtur madje shqiptare”, ka shtuar Kasami.

Të gjitha këto dhe të tjera dështime kanë qenë arsyet e themelimit të Lëvizjes BESA, si një shpresë për shqiptarë e Maqedonisë.

“Pasi subjektet e deritanishme dështuan me radhë në këtë drejtim, neve të BESËS na mbetet barra që të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtjen e vlerave dhe interesave të shqiptarëve të këtij shteti. Madje, do të thoshim pa modesti, kjo më shumë na u imponua seç e zgjodhëm vetë ne. Sepse, ata nuk na lanë rrugë tjetër.  Sidoqoftë, ne urojmë që ky vit të mos na përsëritet kurrë, ndërsa viti që vjen të jetë më i mbarë për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Aq më shumë që tash në skenë është edhe Lëvizja BESA, e cila mirëqenien e shqiptarëve, por edhe të tjerëve, e ka prioritetin e saj më të lartë.

“Urojmë që në vitin 2015-të të kemi më pak zhgënjime”, deklaroi Kasami.

Lajme të ngjashme

Back to top button