Pse profesorët janë kundër reformave të reja në arsim? Ja cilat janë risitë në Ligj

Provimi shtetëror si që parashihet në ligjin e ri, për herë të parë do të zhvillohet në vitin akademik 2016/2017. Sipas ministrit të arsimit Abdilaqim Ademi, këto ndryshime do të sjellin që të rritet kualiteti në arsim dhe studentët mos të marrin diploma pa dije. Më pas, profesorët nga viti 2018 në afat kohor prej pesë viteve duhet të publikojnë së paku dy punime shkencore në revistat shkencore me faktor ndikimi (impact factor) në bazën e Web of Science dhe jo si që ishte deri më tani, në çfarëdo lloj reviste shkencore. Sipas kryeministrit, profesorët protestojnë sepse kanë frikë nga ky detyrim sepse deri më tani kanë publikuar punime por në revista të Vranjes, Manastirit dhe të tjera të cilat nuk janë aspak relevante.

Fjalimi i tillë shkaktoi reagime në opinionin akademik në Maqedoni. Një pjesë e profesorëve thonë se ndryshimet e tilla në arsim nuk janë të këqija megjithatë për këto reforma është e nevojshme kohë, kushte adekuate dhe mjete. Disa thonë se publikimi i punimeve në revistat e tilla nuk është dëshmi e vetme për aftësitë akademike të ndonjë profesori. Të tretët madje thonë se duhet kryeministri fillimisht ta shndërrojë Maqedoninë në vend me faktor ndikimi e më pas këtë ta kërkojë nga profesorët.

Çfarë është faktori i ndikimit?
I ashtuquajturi “Faktor i ndikimit” e mat dhe shfaq nivelin e ndikimit të një punimi shkencor ndaj rrethit dhe ndaj rrjedhave shoqërore ndërsa ndërlidhet me atë sa herë është cituar nga të tjerët. Por, kur bëhet fjalë për shkencat shoqërore, ekziston një mëdyshje ndaj mënyrës së përcaktimit të faktorit të ndikimit, gjegjësisht, theksohet pamundësia për përcaktimin dhe objektivizmin e këtij faktori, thotë për Dojçe Vele, Gordana Siljanovska Davkova, profesoreshë në fakultetin juridik në Universitetin e  Cirilit dhe Metodijt (UCM).

Ajo më tej sqaron se numri i punimeve shkencore me faktor të ndikimit nuk lidhet vetëm me aftësinë akademike të profesorëve por ka dhe lidhje të drejtpërdrejtë me mjetet që i ndan shteti për lëminë shkencore dhe hulumtimin, angazhimin arsimor i cili është i lidhur drejtpërsëdrejti me numrin e studentëve në studime të caktuar, qasjen ndaj bazave të njohurive si dhe modelit të financimit.

“Dihet që në vendet ku investohet më shumë në lëminë e hulumtimeve shkencore ka më shumë kushte për të krijuar punime shkencore me faktor ndikimi. Mos të harrohet se kushton edhe publikimi i këtyre punimeve duke filluar nga disa qindra euro e më lartë.” thotë Davkova.

Sa para aq shkencë
Ndryshimet e fundit për publikimin e punimeve shkencore nuk janë të reja, por tash kushtet janë më precize, përkatësisht relevanca e publikimeve të shkrimeve shkencore vërtetohet nëse ata publikohen në “Web of Science, thotë për Dojçe Vele, ish ministri i arsimit dhe profesori në UCM, Nead Novkovski.

“Ka harxhime të ndryshme, megjithatë nëse bashkëpunojmë më disa institucione më të mëdha, mund të harxhojmë më pak por prapë se prapë kjo do të thotë mijëra euro. Numri i publikimeve në këto revista është në korrelacion të dobët me mjetet që i ndan shteti jonë sepse këto mjete janë të pamjaftueshme. Nëse shteti fillon të investojë më seriozisht, mund të pritet një përparim më i madh. Tani Maqedonia është shumë pas me investimet në shkencë në krahasim me vendet fqinje” shprehet ai.

Maqedonia ndan 0,2 % nga PBV për punë hulumtuese-shkencore, me këtë ajo është e fundit nga shtetet Evropiane por edhe më gjërë. Sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian, vendi duhet të ndajë madje 3% nga PVB.

Profesoresha në fakultetin juridik, Karolina Ristova Asterud, kërkoi nga kryeministri sqarime si mund të krahasohet konteksti në Maqedonia me Slloveninë, pasi që ky i fundit tha se ligji i tillë vlen në Slloveni ku ka numër të ngjashëm të banorëve sa në Maqedoni.

Përjashtoni politikën, kushtet vërtetë janë të këqija!
Profesorët vlerësojnë se kushtet bazë për funksionimin e fakulteteve nuk janë siguruar dhe është rëndë që të vlerësohet puna e kuadrit mësimdhënës.  Pas shembullit të studentëve profesorët formuan Plenumin e tyre të cilën kryeministri Gruevski e konsideroi se formimi i këtij Plenumi është motivuar nga ndryshimet ligjore.

“Nevojat elementare për punë normale nuk janë të plotësuara, duke u nisur prej aty se ne para disa ditëve funksionuam në amfiteatri të ftohta, d.m.th. ministria po vonon me pagesën e ngrohjes, ndërsa fakultetet duhet që ti mbulojnë shpenzimet për kamata ndaj kompanive që sigurojnë energji për ngrohje. Puna e dytë është materiali i zyrës të cilin të gjithë ne e sjellim prej në shtëpi, prej printerëve, letrave, CD-ve për studentët”, deklaroi profesoresha Gordana Popsimonova.

Igor Trajkovski profesor i fakultetit për teknologji informatike, thotë se është rëndë që të bëhet hulumtim në fakultet për shkak se fakultetet ende nuk kanë infrastrukturë.

“Është bërë fakulteti ndërsa nuk ka ndërtesë dhe hapësira. Një pjesë e madhe e të punësuarve nuk kanë zyra, kabinete. Problem tjetër është ajo se kemi shumë student për të cilët duhet kohë për përgatitje.”, thotë Trаjkovski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button