Ziadin Sela: në 100 ditë përmbushëm premtimet që u dhamë qytetarëve

Të suksesshëm e ka konsideruar, kryetari i Komunës së Strugës qeverisjen e tij 100 ditëshe, në një takim me mediat. Ai tha s që në ditët e para të qeverisjes së tij, ka përmbushur  disa nga premtimet që u ka dhënë qytetarëve në fushatën parazgjedhore, duke përmendur në këtë kontekst kthimin në dy kahëshe të rrugës “Brigadat Proletare”.

“U premtova qytetarëve se brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes do të largojmë konstruksionet metalike, nga rrjedha e Drinit të Zi, dhe këtë e realizuam para afatit, theksoi Ziadin Sela. Ai shtoi gjithashtu se Struga tanimë është një qytet shumë më i pastër, sepse, siç tha ai, punonjësit e Ndërmarrjes Komunale po punojnë tani në tri turne.

“Atyre nuk u paguheshin për muaj të tëra rrogat, ndërsa punonjësit e administratës komunale, shpërbleheshin  me rrogë të 13-të Ne  u japim në çdo fillim muaji rroga dhe ata punojnë për ta pastruar qytetin”, theksoi Sela.

Kryetari i Komunës së Strugës tha gjithashtu se janë shkëputur të gjitha kontratat koncesionare me subjektet që menaxhonin parkingjet, sepse ata ishin lidhur  në dëm të qytetarëve.

“Ne kemi  arritur të dhjetë fishojmë mbledhjen e taksave dhe të zbresim  10 fish harxhimet për reprezentacion.  Ne kemi trashëguar me dhjetëra mijë euro borxhe nëpër objektet hotelierike të Strugës, sepse  faturat për shërbimet që ata kanë ofruar nuk janë paguar”, tha Sela.

Më tej ai theksoi se  gjatë kësaj periudhe janë  realizuar disa projekte infrastrukturore, kështu, siç tha ai  është  meremetuar shëtitorja e qytetit, janë bërë funksionale fontanat në qytet, janë asfaltuar dhe janë mbushur gropat e rrugëve  në qytet dhe në disa fshatra dhe me këto aktivitete do të vazhdohet edhe më tej.

“Nuk do të punoj me asnjë drejtor shkolle të emëruar nga ish administrata Komunale. Vendimet  e mia për emërimin e drejtorëve të rinj, si dhe çdo vendim tjetër është i pakthyeshëm. Në këtë drejtim po na bëhen obstruksione nga inspektorati i arsimit dhe gjykatat, duke përmendur rastin e shkarkimit ë drejtorit në shkollën  e Podgorcit  dhe shkollën e mesme “Niko Nestor”,  por këto probleme do t’i tejkalojmë”, nënvizoi Sela.

Kryetari i komunës së Strugës, theksoi gjithashtu se së shpejti pritet të fillojë realizimi i një projekti që lidhet me ndërtimin e një shtegu për këmbësorët dhe biçikleta nga udhëkryqi që lidh Strugën-Dibrën-Ohrin dhe Qafthanën, sepse kjo rrugë në gjendjen që është u ka marrë jetën disa qytetarëve.

“Do t’i apelojmë Ministrisë së transportit që të na jap leje për ndërtimin e një rrethi në këtë udhëkryq. Kur ata nuk duan të investojnë për qytetarët e Strugës, së paku le të na lejojnë që ne ta bëjmë këtë” tha Sela dhe shtoi se në dy anët  e rrjedhës së Drinit nga ky udhëkryq deri tek ish fabrika “Boris Kidriç”, do të bëhet shëtitore për qytetarët.

I pyetur nëse ka ndonjë dështim në punën e tij, Sela tha se ai nuk di të ketë dështime, duke mos i konsideruar të tilla problemet që janë evidentuar me marrjen e koncesioneve subjekteve që menaxhojnë  me parkingjet, apo edhe shkarkimet e drejtorëve të shkollave, të cilat janë kontestuar nga inspektorati apo edhe gjykata.  

Kryetari i komunës së Strugës i pyetur për formimin e shumicës në Këshill, tha se ai raporton për punën e tij në këto 100 ditë, ndërsa Këshilli është organ që po ashtu është zgjedhur me votat e qytetarëve dhe ai duhet të jap llogari para qytetarëve që e kanë zgjedhur.

“Megjithatë,  ne kemi sjellë vendime në të mirë të qytetarëve me   me unanimitet të plotë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen”, tha ndër të tjera Sela 

Lajme të ngjashme

Back to top button