Anketa konfirmon: shqiptarët nuk kanë besim te policia e Maqedonisë

Anketat nxjerrin në pah mos-besimin e shqiptarëve ndaj mënyrës si punon policia në Maqedoni përderisa Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të lavdërohet me shkallën e lartë të besimit të popullatës. Agjencia Rejting shfaqi sërish dallimet që ekzistojnë midis bashkësisë etnike maqedonase dhe etnitetit shqiptar kur bëhet fjalë për besimin që kanë ato ndaj policisë vendase. “Sa jeni të kënaqur me punë e policisë” ka qenë një nga aspektet e anketës në fjalë, pyetje kjo që ka marrë përgjigjen negative të pjesës dërmuese të shqiptarëve të anketuar.

“Shqiptarët në Maqedoni janë më pak të kënaqur me punë e policisë. Duhet theksuar që dallimi lidhur me përgjigjet e dy bashkësive etnike është evident për pjesën më të madhe të pyetjeve që kanë të bëjnë me vlerësimin, bashkëpunimin dhe besimin e përgjithshëm ndaj policisë”, tha Nikolla Spasov, përfaqësues i agjencisë Rejting.

Anketa është zhvilluar gjatë gjysmës së parë të muajit qershor të këtij viti me 2600 qytetarë të moshave të ndryshme dhe dy gjinive dhe ai i 500 punonjësve policor të të gjithë sektorëve policorë.

Një nga momentet më interesante të anketës ka qenë konstatimi i agjencisë Rejting, sipas të cilës, “policia sillet njësoj me të gjitha bashkësitë etnike”. Lidhur me këtë konstatimi, bie në sy përqindja e lartë e shqiptarëve që nuk mendojnë se policia sillet njësoj me të gjithë bashkësitë etnike. Sipas të dhënave të anketës, 64 për qind e shqiptarëve të anketuar kanë shprehur mendim negativ lidhur me këtë çështje, për dallim nga bashkësia etnike maqedonase, tek e cila dominon mendimi se policia trajton njësoj të gjitha bashkësitë etnike.

“Krahasuar me analizën ose anketën e para dy viteve, mund të konstatojmë se vazhdon trendi i rritjes së numrit të qytetarëve që janë të kënaqur me punë e policisë, që në fakt – është arsyeja kryesore e ekzistimit dhe funksionimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Duke u nisur nga viti 2008, numri i qytetarëve të kënaqur me punën e policisë është rritur për 20 për qind. Megjithëse dy viteve të fundit numri i qytetarëve të kënaqur është rritur për dy për qind, ne arritëm të kalojmë 50 përqindëshin. Më saktësisht, sivjet 51.5 për qind janë shprehur se janë të kënaqur me punën e policisë”, tha ministrja e brendshme Gordana Jankullovska.

Lajme të ngjashme

Back to top button