Vendoset gurthemeli për postë të shpejtë në Petrovec

Në zonën industriale multifunksionale Çojlia sot u vendos gurthemeli për ndërtimin e një qendre të re logjistike, investim i kompanisë “Globeks” SHPK, Shkup.

Në qendrën logjistike do të investohen një milion euro dhe për fillim do të hapen 30 vende të reja të punës, theksoi ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, pas vendosjes së gurthemelit.

Objekti, që ndërtohet në hapësirë prej 7.000 metra katrorë, duhet të përfundojë në kuartalin e parë të vitit të ardhshëm.

“Investimi do të kontribuojë në mënyrë plotësuese për zhvillimin e komunës së Petrovecit dhe të Republikës së Maqedonisë. Janë paraparë 30 punësime në fazën e parë, ndërsa numri i përgjithshëm i punësimeve të planifikuara është 360”, deklaroi Janakieski.

Në zonën industriale Çojlia janë shitur 65 parcela, ndërsa sipas Janakieskit së shpejti do të vendosen gurthemele për pjesën tjetër të aktiviteteve të planifikuara.

“Presim të vendosen edhe disa gurthemele gjatë këtij viti, ndërsa më së shumti në vitin 2014. Vendosëm softuer special me të cilin, në bashkëpunim me komunat, e ndjekim plotësimin e afateve për ndërtimin e paraparë dhe presim shumë shpejtë, për dy deri në tre vjet, që të bëhet një kantier i vërtetë ndërtimi dhe zonë industriale në të cilën do të punojnë mijëra njerëz, jo vetëm nga komuna e Petrovencit, por edhe nga rrethinat”, tha Janakieski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button