Viti 2015: Episode të reja tensionuese dhe ndarje në bllokun politik shqiptar?

“Bombat” e Zaevit, rirreshtimet e mundshme në radhët opozitare, episodet e reja tensionuese në planin ndëretnik – e gjithë kjo e paketuar me mbështjellës që nuk e ka shenjën e BE-së dhe të NATO-s. Si do ta fillojë vendi vitin 2015 dhe si do ta kalojë atë dhe çka mund të pritet? Sipas analistëve politikë, tashmë është e qartë se integrimet euroatlantike të vendit nuk janë të kushtëzuara vetëm me kontestin e emrit, por edhe më një seri çështjesh tjera të cilat i hapi BE-ja, e që kanë të bëjmë me demokraicnë, gjyqësinë, liritë e mediave. Njëkohësisht, viti i ri 2015 fillon edhe me pritjen e hapave të opozitës, të cilat mund të jenë paralajmërim për zgjedhje të reja parlamentare. Në bllokun politik shqiptar, janë të mundshme rirreshtime dhe grupime.

Ndarja ndëretnike…  
Sipas një pjese të analistëve, viti i ri do të fillojë me problemin e vjetër. Maqedonia mbetet para dyerve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, mirëpo problemi me emrin me Greqinë nuk është pengesa e vetme për integrimet euroatlantike.
“Nga Raporti i Komisionit Evropian që u miratua nga ana e Këshillit të Evropës, mund të konstatohet se Maqedonia ka shkuar mbrapa në fushën e demokracisë dhe të reformave. Kjo diagnozë e dhimbshme është një vlerësim i disfavorshëm për vendin, i cili i pari e nënshkroi marrëveshjen për asocim dhe stabilizim dhe i cili në vitin 2005 ishte lider i reformave në rajon. Sot i shikojmë prapa shpine nxënësve tanë Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kroacisë. Për këtë kontribuoi edhe kontesti i pazgjidhur me Greqinë i cili u shndërrua në kakafoni politike për ngritjen e rejtingut politik e jo në proces dinamik të marrëveshjes”, thotë për “Portalb”-in profesori universitar Nano Ruzhin.
Në vitin 2015, sipas analistëve politikë mund të pritet polarizim më i fuqishëm në bllokun politik shqiptar. Mirëpo edhe më tutje do të ketë rrezik nga tensionet e mundshme të shtuara në vije etnike.

“Marrëdhëniet ndëretnike janë kartë me të cilën gjithmonë luhet para zgjedhjeve. Problemet ekonomike janë gjithnjë e më reale, dhe për shkak të tyre, e jo për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara politike, qytetarët largohen nga vendi. Koalicioni në pushtet e ka çimentuar përparësinë e pozitës së tij në raport me opozitën e dezorientuar dhe ka vazhduar në mënyrë të papenguar me politikën e tij. BDI-ja gjithnjë e më shpesh akuzohet nga publiku shqiptar për politikën e saj vazale ndaj DMPNE-së për projektet e ndryshme antishqiptare, në mesin e të cilave, më i dalluar ishte fakti që nuk mundi ta pengojë procesin e montuar për rastin e liqenit të Smillkovës, e as t’i qetësojë protestat që pasuan. Mosnjohja e kryetarit është vetëm njëri nga rolet e dobëta të aktrimit të pozitës së fuqishme shqiptare “, thotë për “Portalb”-in analisti Jasmin Rexhepi.

Gjendja me polarizimin etnik duhet të brengosë, thotë edhe profesori Nano Ruzhin.

“Marrëdhëniet ndëretnike pësojnë dëm më të madh nga ndarja e bllokut shqiptar se sa nga kundërshimet e partive politike maqedonase dhe shqiptare. Kjo është një anomali interesante, e cila është tejkaluar vetëm te udhëheqësitë e koalicionit ndëretnik në pushtet dhe te ndarja e interesave dhe e profitit”, thotë profesori Ruzhin dhe shton:
“Mirëpo ajo që duhet të brengosë është gjendja e paralelizmit të bashkësive etnike. Shqiptarët dhe maqedonasit akoma nuk jetojnë së bashku dhe janë të ndarë në shumë baza. Në vitin 2015 nuk duhet pritur tensione të shtuara të marrëdhënieve në planin ndëretnik. Kjo nuk e përjashton mundësinë se ka mundësi të ndodhin episode të caktuara të tensionuara për rivalitete të ndryshme fetare, ikonografike, tradicionale, kadrovike dhe të ndonjë lloji tjetër.”

Kurrorë ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ka mundësi të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare…
Një pjesë e ekspertëve konsiderojnë se kurrora e koalicionit ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së do të mbijetojë edhe më tutje, mirëpo pozita e BDI-së mund të dobësohet nga ndonjë lëvizje e re në bllokun politik shqiptar.
“Pushteti është forcuar aq shumë, sa që asnjë “bombë” nuk mund ta dëmtojë. Së paku jo partnerin maqedonas të koalicionit, ndërsa BDI-ja frikësohet nga mundësia se lëvizja mund ta shfrytëzojë këtë kërcënim të Zaevit dhe të fitojë numër të mjaftueshëm mandatesh në dëm të BDI-së. Blloku opozitar shqiptar do të ndahet edhe më shumë me lëvizjen e Zijadin Selës në llogari të PDSH-së. Mbetet vetëm të konsolidohet blloku opozitar maqedonas dhe të dilet me ide dhe projekte të reja politike dhe ekonomike, e jo me “bomb” dhe skandale, të cilat edhe deri tani nuk ndikuan negativisht te kundërshtarët e tyre, dhe me të cilët nuk mund të formulojnë qëndrim të përbashkët për çështjen e emrit dhe të integrimeve euro-atlantike”, thotë analisti Jasmin Rexhepi.

Viti i ardhshëm fillon edhe me një krizë të brendshme politike – partia më e madhe opozitare mbetet jashtë Kuvendit. “Bomba” e Zaevit mund të jetë paralajmërim për zgjedhje të reja parlamentare në pranverë, mirëpo njëkohësisht, sipas analistëve parashtrohet pyetja se mos ndoshta do të ketë ndarje edhe në bllokun politik opozitar maqedonas.

“Pjesa më e madhe e opozitës me shpresa të mëdha i pret “bombat” e Zaevit, të cilat do të kontribuonin për mbajtjen e zgjedhjeve eventuale të parakohshme në prill/maj të vitit 2015, me çka do të tejkalohej kriza politike në vend. Mirëpo që tani parashtrohet pyetja se në çfarë gjendje është blloku opozitar dhe a do të mbetet ky bllok homogjen edhe në vitin 2015 apo do të na befasojë me ndonjë subjekt të ri politik”, thotë profesori Nano Ruzhin.
Analistët konsiderojnë se në vitin 2015 do të ketë rirreshtim edhe në bllokun opozitar shqiptar edhe në atë maqedonas, që mund të paraqesë një zhvillim të ri në skenën politike të vendit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button