Dashi ka brina, e jo Ukraina

Ndieja brengë për disa sqarime në opinion andaj e kisha patjetër të ndërpres pauzën nga opinionet këtu në PortAlb, që do vazhdojnë, me kësmet, në vitin e ardhshëm. Përkujtimi për sqarimet nisi me një provokim publik ku në koktejin e përmbylljes të vitit nga ana e kreut të BDI-së u përmend Ukraina. Si shembull për ngecjen e perspektivës evropiane të Maqedonisë dhe para së gjithash mos afrimin ndaj NATO dhe BE-së. Sigurisht se si njëri prej shumë artikuluesve publik të shqetësimeve për ngecjen në çdo aspekt të vendit viteve të fundit dhe si përmendës në këtë konotacion edhe të rastit të Ukrainës nuk jam provokuar me të keq, bile mund të konsiderohem si në favor kohor për përmendje të Ukrainës shumë më herët. Që kur nisën problemet në Ukrainë dhe kur nga të njëjtat instanca që tani e përmendin si kërcënim mendohej si përshpejtues i pranimit të vendit tonë në NATO.

E pse kjo përmendje tani dhe këtu nga ana e liderit të BDI-së është problematike dhe emërtohet këtu si provokim? Do ishte pyetje me të drejtë e ndonjë lexuesi të vëmendshëm.

Por, kjo është problem dhe sqarohet me kontekstin, vendin dhe kuvendin se ku është thënë. Pra, thuhet nga ana e një bashkëqeverisësi të viteve të fundit, kohë kjo kur edhe kanë ndodhur ngecjet më të mëdha në procesin e integrimeve euro-atlantike; pra një bashkëfajtori dhe bashkëpërgjegjësi politik për faktet se në raportet e fundit të BE-së dhe NATO-s tani më flitet edhe për shumë çështje tjera përveç çështjes së emrit me Greqinë. Thuhet si fjalë pa ndërmarrë ndonjë aksion konkret politik ndonëse me gojë plotë theksohet legjitimiteti i marrë me vota dhe referohet në një legjitimitet më të gjerë pra të përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoni; gjë kjo që është edhe numerikisht diskutabile. Pra, në fjalën dhe shqetësimin e shprehur nuk ka as ndonjë afat, ultimatum, apo kushtëzim; përveç se nuk ka aksion konkret politik; gjë që do ishte më se normale nga ana e udhëheqësi legjitim politik i cili aktualisht participon në qeverisje të shtetit.

Dhe tjetra jo më pak e rëndësishme është kuvendi ku thuhet kjo fjalë; pra në një tubim dhe forum partiak. Kjo është një shqetësim shoqëror dhe shprehet shpesh në biseda mes njerëzve dhe në opinion publik, por gjithnjë nga ana e qytetarëve apo të atyre që sundohen e nuk kanë qeveri, parlament apo kuvend politik se ku të artikulojnë këtë shqetësim. Një lider partiak dhe deputet tamam do kishte shprehur këtë shqetësim së paku në parlament ose edhe në qeveri; gjithmonë me afate dhe kushtëzime dhe aksione politike në këtë aspekt. Kurse kështu kur kjo thuhet nga qeveritarë, por vetëm në forume partiake qytetarët ose do duhej të gëzoheshin se bisedat dhe shqetësimet e tyre së paku janë përmendë në parti, ose të konstatojnë se shqetësimit dhe vajit të tyre, ja u janë bashkangjitur edhe ata që janë votuar të artikulojnë dhe ta eliminojnë politikisht atë shqetësim?!

Dhe në fund për të mos dhënë sqarim të panevojshëm për dallimet e qarta mes çobanit dhe politikanit më duhet të sjell rikujtim për një definicion e që mendoj se shpjegon titullin e këtij shkrimi. Definicioni i parë i tillë është ai për vasalin. Kjo pasi shpesh paaftësia politike apo mosekzsitenca e aksionit politik cilësohet me vasalitet. Kjo nuk është tamam dhe saktë për rastet tona këtu pasi vasaliteti në terminologji është shprehje e vullnetit dhe vasalë janë njerëz që shprehin vullnetin e tyre, por të kufizuar në ndonjë territor ose subjekt të caktuar. Kurse robërit, apo me gjuhë të vjetër; qolet, janë ata që nuk kanë fare vullnet të tyrin dhe vullneti i pronarit është vullneti i tyre. Mendoj se ky distinkcion duhet pas parasysh në cilësimin e drejtë të dështimit, paaftësisë, ngërçit, apo edhe të kidnapimit politik, që mund të jetë rasti ynë këtu dhe tani, disa vite me rradhë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button