Lubço Georgievski: Të gjitha argumentet në anën e palës shqiptare

Lubço Georgievski, ish kryeministri i Maqedonisë në konfliktin e 2001, ka theksuar dje në debatin  e organizuar për Marrëveshjen e Ohrit, se Maqedonisë i janë dashur atëherë reforma radikalen kushtetutën e saj, sepse statusi i shqiptarëve definitivisht duhej të redefinohej , në drejtim të të drejtave të tyre si bashkësi etnike.

“Për këtë ekzistonin tri faktorë. I pari ka të bëjë me trashëgimin e atmosferës nga ish RSFJ, në të cilën shqiptarët ishin të diskriminuar, i dyti lidhet me ndryshimet demografike, përkatësisht shtimin e numrit të shqiptarëve,  ndërsa i treti me ndryshimet që ndodhën në Kosovë, e cila u shndërrua në një subjekt të ri në Ballkan”, ka theksuar Georgievski.

Ai ka pranuar se atëherë ishte koha e duhur që shqiptarët t’i ngritin të drejtat e tyre në një nivel më të lartë, por ka pa pyetur nëse veprimi që u bë atëherë ishte ai i duhuri. “A duhej që të drejtat të kërkohen me gjakderdhje”, ka pyetur Georgievski.

Ai ka vlerësuar se në debatin e djeshëm të gjithë argumentet ishin në  anën e palës shqiptare, përveç argumentit të ngritur më lartë, nëse ndryshimet duhej të bëheshin me luftë dhe gjakderdhje.

Ish kryeministri Georgievski ka vlerësuar se BDI, si  bartëse e UÇK-së ka realizuar një transformim të suksesshëm nga një formacion gjysmë ushtarak në një strukturë politike.

“Unë, sinqerisht , kisha paragjykime se kjo ndonjëherë mund të ndodhë, por ja që ndodhi”, u shpreh Georgievski.

Zëvendëskryeministri  përgjegjës për implementimin e Marrëveshje së Ohrit, Musa Xhaferi në fjalën e tij ndërkaq ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit e solli paqen në këto 12 vite dhe krijoi hapësira të reja për të gjitha komunitetet të cilat më parë ishin të margjinalizuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button