Historianët shqiptar në Selanik shënuan 80 vjetorin e vrasjes së Hasan Prishtinës

Në organizim të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedoni dhe Mehmet Prishtina, sot për herë të parë në Selanik të Greqisë, u shënua 80 vjetori i vrasjes së atdhetarit të shquar shqiptar Hasan Prishtina. Fillimisht delegacioni i udhëhequr nga Skender Asani dhe Mehmet Prishtina, bënë vizitë në oborrin e shtëpisë së Hasan Prishtinës në rrugën “Vasiliki Orgas” të Selanikut, e cila tani funksionin si shtëpi e të verbërve. Në këtë delegacion morën pjesë përfaqësuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Universitetit të Kosovës “Hasan Prishtina”, Universitetit Shtetëror të Tetovës, UEJL-së, komunës së Çairit të Shkupit, etj.


Skender Asani, kryetar i SHHSHM-së, tha se “Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 ishte ngjarja e veçantë, sepse ishte me artikulim të qartë politik që deri atëherë nuk kishte ndodhur me kryengritjet e mëparshme. Vitet 1912-1933 janë vite kur Hasan Prishtina zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike, diplomatike dhe arsimore kombëtare në mbarë hapësirën shqiptare dhe jashtë saj”.

Memet Prishtina, pinjoll i familjes së Hasan Prishtina, duke përkujtuar këtë ditë të dhimbshme për të gjithë shqiptarët, theksoi se edhe nga këtu (Selaniku), ne përçojmë dhe përjetësojmë frymën hasaniste e cila asnjëherë nuk do të shuhet. Ai më tej shtoi se “Ne nuk guxojmë asnjëherë të çalojmë në këtë rrugë të vërtetë kombëtare, të nisur nga ideologu i madh i kombit shqiptar Hasan Prishtina, i cili shkriu gjithçka për të mirën e kombit”.

Rektori i Universitetit të Kosovës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, paraqiti një rezyme të shkurtër historike për figurën madhore të Hasan Prishtinës, duke theksuar se ai ishte figurë eminente dhe qendrore e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. “Vizioni politik i Hasan Prishtinës nuk është vrarë asnjëherë dhe nuk është përmbushur ende”, theksoi Gashi.

Blerim Reka, prorektor i UEJL-së, u shpreh se: “Vetë fakti se sot në Selanik para shtëpisë së tij u tubuan shqiptarët nga të gjitha trojet, dëshmon se ideja dhe filozofia e tij politike nuk është vrarë, por i mbijetoi tetë dekadave. Ai do të mbetet ideolog i gjeopolitikës unifikuese shqiptare jo vetëm në teori por edhe në praktikë. Vetë fakti se ai edhe praktikisht punoi për dekada të tëra në jetësimin e idesë për bashkim kombëtar, dëshmon më së miri se pavarësimi i Shqipërisë më 28 nëntor në Vlorë nuk qe e rastësishme, por rrjedhojë logjike e kontributit shtetkrijues të Hasan Prishinës”, shtoi Reka.

Më tej, për figurën markante të atdhetarit Hasan Prishtina, folën edhe përfaqësuesi i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Nebi Dervishi, dhe dekani i Fakultetit Filozofik të UP-së, Bujar Dugolli.
Më pas, delegacioni vizitoi pikërisht vendin ku është vrarë Hasan Prishtina, sot e 80 vjet më parë, në rrugën “Tsimiski” të Selanikut, nga dora e Ibrahim Çelos. Ata në shenjë nderimi të atdhetarit Hasan Prishtina, vunë kurora lulesh dhe bënë homazhe.

Për të organizuar këtë manifestim në Selanik, Shoqata e Historianëve kishte marrë leje nga Zyra greke për lidhje në Shkup.

Lajme të ngjashme

Back to top button