Presidenti gjerman kritikon protestat anti-islam

Presidenti gjerman, Joakim Gauk ka uruar bashkëkombësit e tij me rastin e Krishtlindjes, duke e shoqëruar atë me një apel për të mirëpritur refugjatët që vijojnë të hyjnë në Gjermani nga vende të ndryshme
Gauk ka mbajtur fjalimin e tij të përvitshëm me rastin e Krishtlindjeve, që pritet të transmetohet të enjten në televizionin shtetëror.

Në këtë fjalim kreu i shtetit lavdëruar gjermanët për mikpritjen e 200 mijë refugjatëve që kanë mbërritur këtë vit në vendin e tyre, por nga ana tjetër u ka bërë thirrje që të ulin tonet kundër islamit.

Një pjesë të medieve vendase e kanë cilësuar këtë fjalim si një sulm i tërthortë ndaj grupimit të ri kundër islamizimit të Gjermanisë të shfaqur kohët e fundit me një sërë protestash në vend.

Patriotët Europianë, siç e quajnë ata veten, kanë kryer që prej tetorit tubime të përjavshme kundër emigrantëve në vend, sidomos atyre që i përkasin fesë islame.

Në tubimin e të hënës së kaluar në Drsden numri i marshuesve arriti në 17 500 vetë, një shifër rekord. Por Gauk i këshillon gjermanët që të mos kenë frikë nga bota përreth tyre.

Edhe Kancelarja Angela Merkel i ka kritikuar shfaqjet e fundit kundër emigrantëve.

Më shumë se çdo vend tjetër në Europë, Gjermania vazhdon të përballet me një numër mjaft të lartë të kërkesave për azil.

Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Lindja e Mesme të cilët largohen për shkak të luftës në Siri dhe Irak, ndjekur më pas nga vendet ballkanike, mes të cilëve ndodhet edhe Shqipëria me Kosovën.

Lajme të ngjashme

Back to top button