Ivanovski: Gjuha shqipe nuk mund të bëhet obligative sepse huton qytetartët

Futja e gjuhës shqipe në Ligjin për administratë shtetërore si obligim për drejtorët e ardhshëm apo bartësit e posteve të tjera udhëheqëse shkakton probleme dhe huti tek qytetarët. Kështu është përgjigjur ministri i Administratës publike dhe shoqërisë informative, Ivo Ivanovski, gjatë refuzimit të një amendamenti të Partisë Demokratike Shqiptare në debatin e Komisionit parlamentar për sistem politik. Ivanovski doli jo vetëm kundër PDSH-së, por edhe kundër partnerit shqiptarë në koalicionin qeveritar – BDI, deputetët e së cilës mbështetën amendamentin e PDSH-së dhe dolën me vlerësime të ngjashme lidhur me propozim-ndryshimet e Ligjit për nëpunës shtetërorë, shkruan Koha.

“Përveç njohjes aktive të gjuhës maqedonase, drejtorit dhe zëvendësdrejtorit i kërkohet edhe certifikatë për njohjen të gjuhëve të huaja, anglishtes, frëngjishtes dhe gjermanishtes. Ndërsa, për gjuhën shqipe që janë mbi 30 për qind e qytetarëve që flasin gjuhën shqipe, nuk kërkohet njohja e gjuhës shqipe. Na tregoni tash, çfarë mentaliteti i mbrapshtë është ky, çfarë diskriminimi ju bëhet shqiptarëve. Prandaj me këtë amendament kërkojmë që përkrah gjuhës maqedonase, drejtori dhe zëvendësdrejtori të njohin edhe gjuhën shqipe”, tha deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, gjatë arsyetimit të amendamentit me të cilin kërkoi që përkrah gjuhës maqedonase dhe angleze, kusht për drejtorët e rinj të futet edhe gjuha shqipe.

Por, ministri Ivo Ivanovski u arsyetua se Maqedonia tanimë ka një Ligj për përdorimin e gjuhëve, në të cilin definohet qartë se ku duhet të përdoret gjuha shqipe dhe ajo maqedonase. “Për sa i takon pjesës së gjuhëve, ne në Republikën e Maqedonisë kemi Ligj për përdorimin e gjuhëve ku definohet se ku dhe si mund të përdoren gjuhët apo si duhet të komunikohet në ato komuna ku mbi 20 për qind janë pjesëtarë të një bashkësie etnike, konkretisht në gjuhën shqipe. Prandaj vlerësoj se nuk ka nevojë të bëjmë intervenime edhe në materialet e tjera ligjore, të hapim probleme të tjera dhe të shkaktojmë huti tek qytetarët. Për këtë arsye, këtë amendament nuk e pranojmë”, tha Ivanovski.

Ndërkaq deputeti i BDI-së, Rafis Aliti, i cili është edhe nënkryetarë i Parlamentit, votoi “pro” amendamentit të PDSH-së, por këto vota nuk mjaftuan përballë atyre të VMRO-së, të cilët rrëzuan amendamentin në fjalë. Aliti tha se ndan qëndrim të njëjtë me PDSH-në, se drejtuesit e administratës duhet të njohin edhe gjuhën shqipe.

“Asnjëherë BDI nuk doli me komunikatë se çështja e gjuhës shqipe është absorbuar dhe është mbyllur, përkundrazi kemi qenë të vetëdijshëm edhe kur e kemi propozuar këtë propozim-ligj apo Ligjin aktual që ka të bëjë me përdorimin aktual të gjuhës shqipe. Kemi qenë të vetëdijshëm se nuk është zgjidhje e plotë konform amendamentit 5 të Kushtetutës, këtë e them se kjo gjë duhet në të ardhmen të rregullohet. Sa i përket propozimit të deputetëve të PDSH-së, gjithsesi se unë si deputet i BDI-së ndaj të njëjtin mendim se drejtori apo zëvendësdrejtori duhet ta njohë gjuhën e popullatës që është mbi 30 për qind, për shkak se është në interes të institucioneve shtetërore”, tha deputeti Aliti.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Kjo tregon se Ali Ahmeti azgje nuk ka bè pèr zyrtarizim tè Gjuhès Shqipe edhe pse qe 14 vjetè lavdèrohet se ajo eshte punè e kryer!!!

Back to top button