Ministrat shqiptar u përkulën para dëshmorëve në Sllupçan (Foto)

Delegacioni i BDI-së i udhëhequr nga zëvendëskryeministri për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri, Ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri për çështje të eurointegrimeve Fatmir Besimi, ministri i drejtësisë Blerim Bexheti, zëdhënësi i partisë Bujar Osmani, kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, deputeti Rexhail Ismaili, zëvendësministrit i transportit dhe lidhjeve, Xhelal Bajrami, kanë nderuar dëshmorët e rënë në konfliktin e 2001-shit në fshatin Sllupçan.

Me këtë rast, Xhaferri mbajti fjalimin në të cilin theksoi kontributin që kanë dhënë dëshmorët në konfliktin e  2001.

“Më 13 gusht bëhen 12 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit, është një koincidencë që është 100 vjet nga përfundimi i luftërave ballkanike, 80 vjetori i vrasjes së Hasan Prishtinës, i vrarë më 13 gusht të vitit 1933. Me këtë rast përulemi këtu përpara dëshmorëve, të cilat janë dëshmia më e fortë që shqiptarët kanë luftuar për liri, demokraci dhe të jenë të sigurtë të jetojnë në trojet e tyre si të gjithë popujt e Ballkanit. Me këtë rast bëjmë ftesë që të rikthejmë kujtesën, të investojmë në paqë për arsye se luftërat ballkanike dhe popujt e Ballkanit kanë qenë vazhdimisht në luftëra të përgjakshme dhe është derdhur gjaku. Ne do ti kujtojmë në mënyrë institucionale, në emër të qeverisë, në emër të parlamentit, në emër të pushtetit lokal, të shoqatave, për arsye se këto dhanë atë më të shenjtën, jetën, që gjeneratat e ardhshme të jetojnë të lirë, të arsimuar, të përparuar dhe të integruar në popujt e civilizuar të Evropës” tha sot para të pranishmëve Musa Xhaferri.

Në këtë eveniment nuk ishte i pranishëm asnjë zyrtar maqedonas./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button