Vazhdon mësimi në shkollën gati të rrënuar, premtimi i Ademit ende i parealizuar

Shkolla fillore periferike “Vasil Glavinov” në Slivnik të Velesit, vazhdon të ndjek mësimin në kushtet e mjerueshme, përderisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ende nuk ka shpallur tenderin për ndërtimin e një shkolle të re edhe pse kohë më parë ministri Abilaqim Ademi premtoi se ky projekt do jetë superior.

Mësimdhënësi pranë kësaj shkolle, Qemal Musa bën të ditur për Portalb se ende nuk ka asnjë informacion lidhur me projektin e ndërtimit gjë që e premtoi vetë ministri pas bojkotimit të mësimit të nxënësve të kësaj shkolle.

“Ministri ishte këtu e pa se në çfarë kushtesh punojmë dhe mësojnë fëmijët, ai premtoi se ky problem do të zgjidhet dhe ne kemi besim në të. Sa i përket tenderit ende nuk e dimë se a është shpallur mirëpo mësojmë Komuna ka kryer procedurat dhe ka miratuar vendimin për ndërtim por nga MASH nuk kemi ende ndonjë gjë konkrete”, tha për Portalb, Musa.

Kurse zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski bën të ditur për Portalb, se së shpejti do të shpallet tenderi dhe në të ardhmen e shpejt do të ndërtohet kjo shkollë.

“Së shpejti pritet të shpallet tenderi dhe në të ardhmen e shpejtë do të ndërtohet ky objekt shkollor”, tha Galevski.

Musa shtoi se do të presin deri në muajin mars, por nëse nuk realizohet projekti, mësimi sërish do të ndërpritet për shkak të kushteve të mjerueshme.

Ndërkaq në këtë shkollë mësojnë 84 nxënës të ndarë në 5 paralele, dhe momentalisht kanë vetëm një klasë dhe një klasë të improvizuar në të cilën ndjekin mësimin në tre ndërrime.

Lajme të ngjashme

Back to top button