Hyn në fuqi traktati për tregtinë globale të armëve

Një traktat mbi tregtinë globale të armëve, ku qarkullohen me miliarda dollarë, ka hyrë në fuqi, duke u përshëndetur edhe nga shefi i OKB, Ban Ki-moon.

Ai deklaroi se shpreson që marrëveshja do të ndihmojë në parandalimin e transferimit të armëve tek “abuzuesit e të Drejtave të Njeriut, terroristët dhe organizatat kriminale”. Marrëveshja gjithashtu ndalon edhe furnizimin me armë nëse ato bëhen shtysë për krime lufte apo genocid.

Deri tani traktati është ratifikuar nga 60 shtete, por SHBA, eksportuesi më i madh në botë i armëve, ende nuk e ka ratifikuar.

Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje në vitin 2013, por tashmë kërkohet edhe miratimi i Senatit, ku sipas mediave ndërkombëtare, opozita pritet të jetë kundër.

Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon tha se, “traktati shënon hapjen e një kapitulli të ri në përpjekjet tona kolektive për të sjellë përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë në tregtinë e armëve globale. Në fund të fundit, ajo dëshmon për vendosmërinë tonë kolektive për të reduktuar vuajtjet njerëzore, duke parandaluar transferimin apo devijim e armëve në zonat e prekur nga konfliktet e armatosura dhe dhuna”, u shpreh Ban.

Marrëveshja është nënshkruar nga rreth 130 kombe, ku bëjnë pjesë edhe 5 prej prodhuesve më të mëdhenj në botë të armëve, siç janë Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button