Raporti i ri: Përjashtohet diversioni apo akti terrorist për rrëzimin e “Kingerit”

Gjatë rrëzimit të aeroplanit në të cilin jetën e humbi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski nuk ka pasur shpërthim, as zjarr dhe nuk ka gjurmë të cilat do të çonin drejt diversionit apo aktit terrorist, është qëndrimi i komisionit hetues të theksuar në raport, i cili dje iu dorëzua prokurorisë publike të Bosnjë e Hercegovinës dhe Ministrisë së Transportit dhe Komunikimeve të BeH­së.

Pritet raportin final shefi i ekipit hetues ndërkombëtar Omer Kuliq, i cili të shtunën do të udhëtojë në Republikën e Maqedonisë, t’ia dorëzojë edhe prokurorisë së Maqedonisë dhe autoriteteve.

Siç njofton Televizioni federal i Bosnjë e Hercegovinës, për fatkeqësinë në të cilën jetën e humbën presidenti Trajkovski dhe tetë persona të tjerë të delegacionit shtetëror, kanë ndikuar një sërë lëshimesh kritike, ngjarjesh dhe kushtesh.

“Shkak i drejtpërdrejt për fatkeqësinë ka qenë ulja e aeroplanit nën nivelin e shënuar minimal, ndërsa për këtë kanë ndikuar përgatitja e pamjaftueshme, jocilësore dhe jo e plotë e ekuipazhit për afrim dhe aterim, injorimi i informacioneve të kontrollorëve të fluturimit për situatën momentale meteorologjike, përcaktimi i gabuar i pikës finale për fluturim, gjë që ka çuar drejt fillimit të hershëm të uljes, shkyçja e autopilotit në fazë të afrimit, puna e pamjaftueshme ekipore e anëtarëve të ekuipazhit, mosmbajtja e fluturimit horizontal nga ana e pilotit dhe reagimi jopërkatës i bashkëpilotit”, theksohet ndër të tjerash në raport.

Ekuipazhi, i cili është ndryshuar 15 ditë para fluturimit, nënvizohet, nuk ka qenë i përgatitur sa duhet. Piloti dhe bashkëpiloti vetëm pjesërisht janë njoftuar me gjendjen e motit, ndërsa aeroplani, edhe pse ka pasur certifikatë për fluturim, gjegjësisht “nuk ka qenë në gjendje të fluturojë”.

Kutia e zezë, e cila i shënon parametrat kyçe të fluturimit, nuk ka qenë e rregulluar si duhet, ndërsa ekuipazhi nuk e ka përpunuar përgatitjen standarde për afrim jorpeciz.

“Sikur të mos ishte shkyçur autopiloti në fazën përfundimtare të afrimit, aeroplani në vend të fatkeqësisë, do të fluturonte në lartësi prej 68,82 metrash”, qëndron në raportin të cilin e ka dorëzuar Kuliq, njofton Televizioni federal i Bosnjë e Hercegovinës.

Ky komision, për dallim nga hetimi i parë në të cilin si shkak është theksuar një gabim i pilotit, pas hetimit dyvjeçar përcaktoi edhe lëshime sistemore, të cilat në mënyrë indirekte kanë çuar drejt fatkeqësisë.

Drejtoria për fluturim civil dhe ajror e Maqedonisë nuk ka qenë e aftësuar profesionalisht, me kuadër dhe për nga organizimi, ndërsa gjithashtu as sektori për transportin e aeroplanëve dhe mirëmbajtjen e aeroplanëve gjatë Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Autoritetet e aviacionit me lëshimet e tyre kanë çuar drejt rënies së nivelit të sigurisë në tërë sistemin e aviacionit në Republikën e Maqedonisë. Te personeli i cili ka fluturuar ka pasur lëshime në sistemin për trajnim për autorizime të veçanta të cilat regjistrohen në lejet për fluturim.

Mosvizitimi i kontrolleve të rregullta vjetore të simulatorit, si dhe ndërprerjet e shpeshta në vazhdimësinë e fluturimit, janë reflektuar në sigurinë dhe kanë kontribuar për fatkeqësinë”, thuhet në raport.

Si shkaqe indirekte për fatkeqësinë, Komisioni i thekson situatën e ndërlikuar meteorologjike dhe mjetin e pasigurt të navigacionit. Mjeti kryesor dhe i vetëm për afrimin jopreciz në aeroportin në Mostar DVOR/DME, i cili është vlerësuar si jo i sigurt, në pozita të caktuara e humb sinjalin për shkak të konfigurimit të terrenit.

Në konstatimet e këtij raport nuk përmendet përgjegjësia e SFOR­it, i cili ishte kompetent për tërë gjendjen dhe funksionimin e Aeroportit në Mostar.

“Në këtë kontekst SFOR ka qenë përgjegjës për kontrollin e fluturimit, vendosjen dhe përpunimin e procedurave dhe të dhënave të sakta për procedurat për afrim. Gjithashtu, sistemi për komunikime ka qenë nën mbikëqyrjen dhe organizimin e SFOR­it. Shërbimet për kontrollin e fluturimeve i kanë dhënë kontrollorët ushtarak të fluturimit të njësitit të aviacionit francez, të cilët nuk posedojnë leje civile për kontrollin e fluturimeve”, thuhet në raport.

Fatkeqësia në të cilën jetën e humbi presidenti Boris Trajkovski si dhe tetë persona të tjerë të delegacionit ka ndodhur më 26 shkurt të vitit 2004.

Lajme të ngjashme

Back to top button