Rebalanci i ri do t’i godasë investimet kapitale!

Në vjeshtë, ka mundësi të ketë riformatim të arkës buxhetore. Ekspertët konsiderojnë se qeveria blen kohë që t’i shmanget riformatimit të harxhimeve buxhetore, por duke pasur parasysh se tashmë janë harxhuar 80% të deficitit buxhetor – rebalanci do të jetë i pashmangshëm. Vetëm, sipas ekonomistëve, pyetja që parashtrohet është se qeveria a do të përcaktohet për riformatim “të heshtur”, me vendim intern të qeverisë ose me për rebalanc që duhet të kalojë nëpër filtrin kuvendor.

“Ka nevojë për rebalanc të buxhetit për shkak se nuk mund të realizohen investimet e planifikuara, veçanërisht investimet kapitale publike. Qeveria tani blen kohë, aktiviteti ekonomik zvogëlohet, ndërsa në buxhet hyjnë gjithnë e më pak para nga tatimi kryesor i TVSH-së. Ky buxhet nuk mund të durojë deri më fund të vitit. Sipas vlerësimeve të mia rebalansi do të ndodhë në shtator dhe do të bëhet shkurtimi i investimeve kapitale”, sqaron për “Portalb”-in, profesori universitar, Izet Zeqiri.  

Ajo që e hap dilemën për rebalancin e domosdoshëm është niveli i deficitit buxhetor. Sipas të dhënave nga Ministria për financa, në shtatë muajt e parë ose deri në fund të korrikut, janë harxhuar 80% të deficitit të planifikuar buxhetor. Kjo gjendje, sipas ekonomistëve është rezultat i zgjedhjeve lokale, periudhë kjo kur qeveria bëri harxhime zgjedhore. Sipas pozitave aktuale buxhetore, deficiti është 3,5% e PBB-së. Ekonomistët konsiderojnë se nuk duhet të lejohet përkeqësimi i mëtutjeshëm, gjegjësisht të mos ndodhë skenari i vjetshëm kur qeveria me vendim e rriti deficitin buxhetor prej 2,5% në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky skenar do të ishte shumë i rrezikshëm”, vlerëson profesori Marjan Petreski për “Portalb”-in.

“Mendoj se do të ishte shumë e rrezikshme, për arsye se borxhi i qeverisë ka dinamikë relativisht të paqëndrueshme. Në rregull është mendimi se niveli i borxhit nuk është edhe aq alarmant, mirëpo dinamika e rritjes së tij është brengosëse. Poashtu, qeveria nuk e publikon borxhin e përgjithshëm publik, i cili përveç atij të ministrive, e përfshin edhe borxhin e komunave, të ndërmarrjeve komunale, BPRM-së, BMPZH-së etj., i cili me siguri është më i madh se sa ai i qeverisë qendrore për disa përqind”, sqaron Petreski.

Sipas profesorit Zeqiri, ajo që në mënyrë plotësuese lë hije mbi buxhetin e këtij viti është edhe skandali për mënyrën se si ai u miratua në Kuvend.

“Komisioni ad-hoc akoma nuk dha ndonjë rezultat për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit. Mendoj se Maqedonia ka buxhet krejtësisht jotransparent dhe se nuk ka llogaridhënie për atë se ku harxhohen rreth 3 miliardë euro, para të sektorit privat dhe të qytetarëve”, thotë profesori Zeqiri.

Sipas informatave, edhe qeveria tashmë bën llogari për një rebalans të mundshëm të buxhetit. Ku të shkurtohet?

Cak – Investimet kapitale!

Me rregull, rebalanci i buxhetit nënkupton goditje për investimet kapitale, projekte që janë shkruar në letër, por që kanë ngecur në procedura.

“Partneri i koalicionit në pushtet, BDI thotë se gjatë përpilimit të buxhetit se 20% deri në 25% të parave për investimet kapitale do të përfundojnë në rajonet ku dominon popullata shqiptare. Por këto numra janë vetëm në letër dhe nuk realizohen. Këtu e kam fjalën për projektet për ndërtimin e shkollave, rrugëve dhe llojit tjetër të infrastrukturës. Kemi projekte që projektohen me buxhetet e viteve 2008 dhe 2009 – e akoma nuk janë realizuar. Ku është biblioteka e Tetovës, ose pse nuk është ndërtuar aksi rrugor te mbikalimi në afërsi të Bërvenicës në Tetovë?”, pyetet deputeti i mëparshëm dhe profesori aktual universitar, Izet Zeqiri.

Për këtë vit, sipas projektimit aktual buxhetor, qeveria për investime kapitale planifikoi të harxhojë 304 milionë euro.

Ekspertët në vazhdimësi theksojnë se realizimi i investimeve kapitale strategjike është vendimtar për zhvillimin ekonomik. 

“Deficiti buxhetor do të thoë futje të qytetarëve në borxh. Çështje kyçe është se si do të harxhohen këto para. Sipas meje – vetëm për harxhime operative qeveritare, por jo edhe për investime kapitale”, thotë profesori Zeqiri.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe kolegu i tij, Petreski.

“Të mos harrojmë se i qëndrueshëm është ai deficit dhe ai borxh që bëhet për investime produktive të cilat në afat të mesëm do ta rrisin kapacitetin e ekonomisë për t’i kthyer ato, kështu që do të jetë më lehtë të paguhet ai borxh. Deri tani, kjo nuk ka ndodhur me borxhet tona. Mirëpo, mund të fillohet me disa zhvendosje në strukturën e investimeve kapitale shtetërore. Të presim dhe të shohim se a ofron qeveria ndonjë strategji më afatgjate për projketet siç janë Koridori 10, hekurudha drejt Bullgarisë dhe disa investime në shëndetësi”, thotë Petreski.

Si investime më të rëndësishme shtetërore që janë planifikuar dhe që janë projektuar me buxhetin e vitit 2013, theksohen investimet në Koridorin 10, infrastrukturën hekurudhore, energjetikën, infrastrukturën komunale dhe investimet kapitale në arsim dhge në shëndetësi.

Nga cilat ministri dhe projekte do të shkutohet gjatë riformatimit eventual të arkës shtetërore, do të shihet së shpejti. Një gjë është e qartë – ekonomistët thonë se deficiti nuk duhet të thellohet edhe më tepër që do të thotë se shteti duhet ta shtrëngojë rripin e harxhimeve deri në fund të këtij viti ekonomik.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button