Projektohet në mbi 18 milion euro buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2015

Këshilli i komunës së Gostivarit e mbajti seancën e 16-të dhe të fundit për vitin 2014. Pas arsyetimit nga ana e Sektorit të Financave dhe debatit nga ana e këshilltarëve, me shumicë votash u miratua buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2015.

Në fjalimin e fundit për këtë vit para këshilltarëve komunalë, kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta tha sе nga ky buxhet varet realizimi i projekteve të cilat janë të parapara për vitin 2015.

“Nga ky buxhet ne do të realizojmë programin dhe projektet e premtuara në komunën e Gostivarit. Projektet tona të vitit 2015 janë të shkruara dhe ato qytetarët do t’i prekin dhe do t’i shijojnë. Ne hyjmë në kategorinë e qeveritarëve të cilët realizojnë projektet në praktikë dhe nuk hyjmë në kategorinë e “ëndrraxhijnve”. Këshilltarët e opozitës asnjëherë nuk përkrahin asnjë pikë të rendit të ditës edhe pse qytetarët i kanë zgjedhur që edhe ata të japin kontribut në të mirën e Gostivarit, ata vijnë çdoherë për të thënë të pavërteta dhe për të manipuluar qytetarët”, tha kryetari Bejta.

Udhëheqësja e Sektorit për çështje financiare Shiret Elezi dha sqarim të detajuar për Propozim Buxhetin për vitin 2015.

“Buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2015 është planifikuar në lartësi prej 1.122.809.000,00 den, që paraqet rritje të buxhetit në krahasim me vitin 2014 për 17%. Buxheti themelor merr pjesë me 39,19% ose 440.000.000 denarë, vetëfinancimi me 2,2% ose 24.789.000 denarë, dotacionet me 49,7% ose 559.063.000 denarë, donacionet 5,1% ose 57.357.000 dhe kreditë me 3,7% ose 41.600.000 denarë”, theksoi Elezi.

Ajo gjithashtu në mënyrë të detajuar arsyetoi edhe strukturën e të hyrave tatimore, strukturën e taksave komunale që do të jenë të hyra në vitin 2015 dhe që nuk kanë qenë të hyra në buxhetet paraprake. U sqaruan dhe programet e parapara në buxhetin, strukturën e të dalave, ndërsa u arsyetua edhe struktura e investimeve kapitale të cilat do të financohen nga buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2015.

Investimet kapitale marrin pjesë me 41,8 % në strukturën e buxhetit bazë ose mbi 23% në strukturën e buxhetit të konsoliduar që është mbi mesataren e strukturës për investimet kapitale të komunave në Republikën e Maqedonisë në nivel nacional.

Këshilltarët miratuan edhe vendimin për ekzekutim të buxhetit, propozim kalendarin buxhetor, si dhe vendimin për përcaktimin e lartësisë së maksimumit të arkës për vitin 2015.

Këshilltarët komunal i dhanë pëlqim edhe propozim – vendimit për vëllazërim të Komunës së Gostivarit me qytetin e Adanës të Republikës së Turqisë.

Në Seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Gostivarit për vitin 2015, u miratuan edhe programet për aktivitetet në Komunën e Gostivarit nga sfera e arsimit, sfera e kulturës, dhënia e bursave për talent të rinj, sport, mbrojtje sociale dhe mbrojtje të fëmijëve, shëndet publik, si dhe programi për mbrojtje dhe shpëtim.

Këshilltarët miratuan edhe Strategjinë për të rinjt e komunës së Gostivarit si dhe Konkluzionin рër dhënie pëlqim Statutit të Ndërmarrjes Publike për ekonomizim me sallën sportive “Rinia” dhe Konkluzionin për dhënie pëlqim vendimit për aprovimin e programit të punës së NP ”Komunalec” për vitin 2015.

Në rendin e ditës së seancës së 16-të ishin edhe propozim-vendimi për pranimin e programit vjetor për punë për sipërfaqet publike për vitin 2015, propozim – programi vjetor për punën e Inspektoratit të Komunës së Gostivarit, si dhe propozim-programi vjetor për përpunimin, ndryshim dhe plotësim si dhe sjelljen e planeve urbanistike të Komunës së Gostivarit për vitin 2015, pika të cilat po ashtu u miratuan me shumicë votash nga ana e këshilltarëve komunalë.

Lajme të ngjashme

Back to top button