“STEMA” shferc-komerc

Propozim stema e a.sh.q. historike e Maqedonisë, ngjalli shumë pakënaqësi dhe dilema në opinion të natyrës historike, juridike, politike, procedurale, etj.

E para e punës, është se ky propozim stemë, paraqet një punim të disenjuar vetëm nga një shoqatë civile edhe atë Shoqata maqedonase heraldike me seli në Shkup. Pra, Qeveria miraton si propozim stemë të shtetit, punimin e vetëm një shoqate civile. Kjo flet për joseriozitetin dhe misteriozitetin e kësaj steme, sepse s`ka asnjë lloj kriteri, sepse për të zgjedhur punimin më të mirë duhet të ketë së paku disa punime, e jo vetëm një punim. Minimumi procedural që duhet të respektohet me rastin kur një shtet miraton një stemë të re, është shpallja e një konkursi edhe atë konkursi ndërkombëtar për disenjimin e stemës së re të shtetit, me çrast në atë konkurs duhet qartazi të përcaktohen edhe kriteret themelore që duhet t`i përmbushë çdo punim që paraqitet në konkurs. Vetëm të përkujtojmë procedurën e miratimit të simboleve të reja shtetërore të Republikës së Kosovës në v. 2008. Pra, në fillim u shpall konkursi ndërkombëtar, më pas në atë konkurs u paraqitën gjithsej 1.060 punime, dhe në fazën finale u selektuan 5 punimet më të mira, dhe në fund u vendos për njërin punim, i cili në fazën e vendimmarrjes në Parlament, përjetoi disa modalitete. Pra, kështu miratohet një stemë e shtetit, në një procedurë të hapur, transparente dhe demokratike. Kurse në rastin e stemës së re të RM-së, nuk mund të flitet për miratim, por për kontrabandim të saj në stilin shferc-komerc.

Nga ana tjetër, duhet thënë se shteti i RM-së nuk ka të drejtë që të miratojë luanin si stemë historike, sepse kjo e drejtë e tij i është vjetëruar që moti. Përse është vjetëruar?! Sepse stemat historike miratohen në momente historike kur themelohen dhe krijohen shtetet. Në këtë drejtim, shteti bullgar e ka miratuar luanin si stemë shtetërore që nga viti 1881 pra, me miratimin e Kushtetutës së saj të v. 1881, andaj, të parët që reaguan kundër kësaj steme ishin pikërisht bullgarët duke thënë se Maqedonia po na e vjedh stemën!!! Pra, në drejtësi vlen një parim: kush është i pari në kohë, i pari është edhe në të drejtë. Miratimi, i luanit bullgar si stemë shtetërore e Maqedonisë, e rihap dilemën nëse VMRO në perspektivë ka ndonjë projekt të fshehur për Maqedoninë si krahinë të Bullgarisë, në stilin s`paska BE, s`paska NATO, andaj, i bashkohemi Bullgarisë?!

Në këtë drejtim, duhet theksuar se, vetë Shoqata maqedonase heraldike nuk është objektive kur e propozon luanin si stemë historike të shtetit në emër të kësaj shkence. Pse?! Sepse po t`i përmbahej me konsekuencë deri në fund, kriterit dhe karakterit shkencor heraldik dhe historik të stemës, atëherë duhej të merrte për bazë shenjën e parë dhe më të vjetër heraldike të Maqedonisë, e cila është paraqitur ndonjëherë në hartë gjatë historisë. Sipas vetë studimit të kësaj shoqate, të publikuar në ueb faqen e saj, thuhet se paraqitja më e vjetër heraldike që lidhet me Maqedoninë e që është zbuluar deri sot, është shfaqja e Shkupit në hartën e hartografit të njohur italian Anxhelino Dulçerto të v. 1339 ku krahas emrit të qytetit „Skopi“ qëndron shqiponja dykrerëshe e kuqe në fushën e verdhë. Pra, po të ishte respektuar objektivisht dhe me konsekuencë kriteri heraldik për stemën historike, atëherë propozim-stema e re e RM-së do ta kishte shqiponjën e kuqe dykrerëshe në fushën e verdhë, e jo luanin e kuq.

Aspekti tjetër ndërlidhet me atë se luani, nuk i përfaqëson shqiptarët e Maqedonisë, edhe pse aty këtu haset te disa principata shqiptare të shek. XII dhe XIII ose te stema lokale e qytetit të Durrësit, ose te monedhat e lekut të v. 1927 në kohën e Zogut, mirëpo, shtrohet pyetja se çka i lidhë Shqiptarët e Maqedonisë me stemën e Durrësit ose me stemat familjare e lokale të feudalëve shqiptarë ose me monedhat historike të lekut të Shqipërisë? Asgjë. Simbolet familjare, lokale apo të monedhave nuk janë simbole kombëtare, meqenëse shqiptarët kanë me qindra mijëra simbole familjare dhe lokale (historike dhe aktuale) dhe një qasje e tillë shkakton përçarje kombëtare te shqiptarët kudo që jetojnë ata.

Nga ana tjetër, duhet theksuar se luani nuk është i gjithëpranuar as edhe nga vetë maqedonasit, sepse vetëm maqedonasit që janë pjesëtarë të VMRO-ve e konsiderojnë luanin si simbol etnik maqedonas, kurse maqedonasit që nuk janë pjesëtarë të VMRO-ve nuk e konsiderojnë si të tillë. Mirëpo, vetëm një gjë dihet sigurtë pra, luani është simbol i partive politike të VMRO-ve. Tani, të miratohet simboli partiak si simbol shtetëror, kjo gjë paraqet fundin e shtetit dhe të qytetarëve, dhe krijimin e shtetit partiak ose partisë shtet, me çrast siç edhe dihet se stema shtetërore përdoret te dokumentet dhe vulat publike dhe shtetërore si dhe në selitë e organeve shtetërore, andaj, çfarë domethënie do të kishte luani i VMRO-së si stemë shtetërore?! Kjo d.m.th. se pasaportat dhe letërnjoftimet e qytetarëve do të shndërroheshin në libreza partiake kurse selitë e organeve shtetërore do të shndërroheshin në seli të kësaj partie politike, pra përfundimisht një parti politike do të shndërrohej në shtet, duke i përjashtuar qytetarët dhe shoqërinë?

Propozimi për luanin si stemë e RM-së daton që nga viti 1992, që më pas është aktualizuar në v. 2009 dhe sërish aktualizohet edhe sot. Mirëfilli dihet se në v. 1992 deputetët e atëhershëm shqiptar të Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore arritën ta bllokojnë miratimin e luanit si stemë shteti, edhe atë pa i pasur mekanizmat e votimit të dyfishtë, që sot i kanë në dispozicion deputetët shqiptarë. Pra, sot, duhet përkujtuar dhe vlerësuar angazhimet e këtyre dy partive politike shqiptare në v. 1992 se si arritën të parandalojnë luanin e VMRO-së si simbol shteti. Kështu që, sot, miratimi i stemës së shtetit është në duart e vet deputetëve shqiptarë sepse ata e kanë shumicën e dyfishtë dhe nga ana tjetër, poashtu, e kanë në duar edhe shumicën prej dy të tretave.

Poashtu, nuk janë të sakta edhe arsyetimet se luani na qenka simbol i shumë shteteve evropiane, sepse sot ne flasim për Bashkimin Evropian, e jo për shtetet evropiane. Pra, po të kishin pasur disenjuesit e kësaj steme idenë evropiane ata do të propozonin ndonjë stemë me boja dhe premisa të BE-së, sikurse që janë p.sh. simbolet shtetërore të BeH ose të Republikës së Kosovës.

Dhe krejt për fund, çfarë steme i duhet RM-së? Për t`u përgjigjur në këtë pyetje duhet ditur se çfarë dëshirojnë VMRO-të? Pra, VMRO dëshiron me çdo kusht të imponojë dhe të dominojë me luanin si një stemë një-etnike, dhe përderisa insiston në këtë gjë, ky koncept nuk duhet të miratohet nga deputetët shqiptarë, ashtu siç nuk është miratuar në v. 1992. Prandaj, mbeten tri opsione të tjera, edhe atë: opsioni i parë, do të ishte stema dyetnike, e cila do të përcaktohej sipas elementeve (bojave dhe simboleve etnike, jo lokale dhe familjare) të të dy komuniteteve më të mëdha në vend, pra që do t`i përfaqësonte maqedonasit dhe shqiptarët; opsioni i dytë, do të ishte stema multietnike e cila do të përcaktohej sipas maksimumit të elementeve që duhet t`i ketë ajo, pra në këtë rast duhet t`i ketë në vete 8 elemente që do të pasqyronin dhe simbolizonin  8 komunitetet etnike në vend (pra ato që përmenden në Preambulën kushtetuese: 1-maqedonasit, 2-shqiptarët, 3-turqit, 4-serbët, 5-vllehët, 6-romët, 7-boshnjakët dhe 8-të tjerët); opsioni i tretë, do të ishte stema neutrale, e cila do të përcaktohej sipas elementeve që nuk duhet t`i ketë stema e re, pra të mos u ngjajë stemave të shteteve të tjera dhe të mos i ketë bojat dhe simbolet që përfaqësojnë ndonjë komunitet etnik në RM. Këtu, te stema neutrale zgjidhja do të kërkohej te përshkrimet neutrale, si p.sh. pejsazhi i vendit: lumenjtë, malet, fushat, kodrat, etj; ose harta e vendit, ose kulturat bimore apo produktet bujqësore, si: speci, domateja, fasuleja, lakra, druri, kungulli, etj; dhe opsioni i katërt, prolongimi në kohë i miratimit të stemës së re, ashtu siç veprohet nga v. 1992 e këndej (sepse shteti nuk është fare pa stemë, madje ka një stemë që është e ngjashme me stemën neutrale).

Për fund, sipas fjalës popullore, duke ndrequr vetullat i vrau sytë, duhet pasur parasysh se gabimi ende më i madh, do të ishte nëse në vetë ligjin për stemën e re do të përcaktohej në një nen ligjor se kjo stemë e propozuar i përfaqëson të gjithë: pra, maqedonasit (me luanin e kuq në fushën e verdhë), shqiptarët (me mburojën në formë kalaje me pesë shtylla) dhe të tjerët, sepse dielli nuk mbulohet me shoshë, ose siç kanë thënë juristët romakë: “Fraus omnia corrumpit-Mashtrimi i prish të gjitha”.

P.s. Meqë Kryesia e BDI-së refuzoi marrëveshjen e nënshkruar midis Kryetarëve të VMRO-së dhe BDI-së për luanin si stemë shteti, dhe meqë pas këtij akti, kryetari i BDI-së nuk dha dorëheqje, dhe derisa të vendoset për përgjegjësinë e tij (gjithnjë duke u udhëhequr nga D-ja (Demokracia) në mes të emrit të kësaj partie), Kryesia duhet që urgjentisht t`ia marrin kryetarit të BDI-së të gjitha stilolapsat nga të gjithë xhepat e tij ose nëse nuk munden, atëherë t`ia heqin menjëherë autorizimin që të nënshkruajë marrëveshje në emër të partisë, sepse do ta merr në qafë popullin shqiptar në Maqedoni (brezin e kaluar, të tanishëm dhe të ardhshëm)!

(Pjesë nga kumtesa e paraqitur në debatin e organizuar nga Shoqata për pajtim dhe bashkëjetesë “Zgjate dorën” në Tetovë më 19.12.2014)

Lajme të ngjashme

Back to top button