Gashi: Vet shteti ndikon në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike

Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, anëtari i Këshillit Iniciues të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka thënë se shteti ndikon në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

“Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe në përditshmëri ballafaqohemi me probleme të ndryshme. Fakti që ne jemi të angazhuar në sfera të ndryshme në shoqëri, nuk nënkupton se jemi të përjashtuar prej problemeve që prekin qytetarët dhe në bazë të këtyre problemeve ne kemi formuluar edhe konceptin tonë”, ka thënë Gashi. Sipas tij, të gjithë jemi të vetëdijshëm se problemi kryesor është papunësia dhe marrëdhëniet e ndëretnike që përkeqësohen nga vet shteti. “Në thelb, marrëdhëniet ndëretnike janë të mira dhe stabile, por shteti intervenon që ata të përkeqësohen dhe të mos jenë ashtu siç duhet të jenë. Ne duam të eliminojmë këtë dukuri”, ka thënë Gashi.

Në pyetjen lidhur me atë se sa hapësirë mund të kenë duke parë veprimin e partive ekzistuese të cilët kanë uzurpuar dhe dominojnë në skenën politike, Gashi është përgjigjur se veprimi i deri tanishëm i këtyre partive, vetvetiu e ofron atë hapësirë për arsye siç tha ai “ata nuk kanë ofruar ndonjë vizion se çka duan me shtetin, çka duan me shqiptarët, çfarë vizioni kanë për të ardhmen”

“Ne po dalim me koncept të qartë në të cilin shqiptarët i shohim në shtet, dhe shtetin e shohim në 20 vitet e ardhshme, dimë, dhe kemi ide se si do të rrjedhë ajo. Për këtë arsye besoj se nuk do të jetë problem të imponohemi. Mbi 50 për qind e shqiptarëve nuk dalin në votime, ne këtë pjesë do të targetojmë, por sigurisht se edhe ata që kanë votuar deri tani, ka shumë shqiptarë që janë të dëshpëruar nga subjektet politike që kanë votuar më parë”, ka deklaruar Afrim Gashi.

Sipas tij, partitë shqiptare si BDI ashtu dhe PDSH, deri tani kanë ekzistuar në skenën politike si pasoj e mospasjes së një alternative reale

“Ndërmjet dy zbrastirave politike, njerëzit vendosin për opsionin më pak të mirë ose më pak të keq, por substancialisht, them, nuk ka ndonjë dallim përmbajtjesor mes tyre dhe mendoj se “BESA” me konceptin e saj, me atë se do të flasim me qytetarët, publikisht dhe në teren me njerëzit, do t’ua shpjegojmë konceptin tonë, ata do të dinë të  dallojnë përmbajtjen me hiçin”, ka shtuar Gashi.

Lidhur me atë se si mendojnë që shqiptarët t’i bëjnë qytetarë të barabartë të këtij vendi, Gashi ka thënë se është e nevojshme të ketë dialog të gjerë politike me përfaqësuesit politik maqedonas dhe të debatohet lidhur me funksionimin e shtetit, i cili funksionim tani për tani është treguar jo funksional.

Lajme të ngjashme

Back to top button