Meta në Prishtinë, takime me krerë të politikës

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori pjesë në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Pritja u organizua nga Ambasadori shqiptar në Kosove, Qemal Minxhozi me qëllim promovimin e kulturës dhe të produkteve shqiptare.

Kreu i Kuvendit shoqërohej nga bashkëshortja e tij, njëkohësisht edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Monika Kryemadhi si dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.

Ne fjalën e tij, Ambasadori shqiptar në Prishtinë Minxhozi shprehu nevojën e bashkëpunimit të mëtejshme mes dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve bujqësore. Minxhozi tha se produktet shqiptare duhen promovuar edhe më shumë në të dy anët e kufirit dhe në vendet e rajonit.

Meta zhvilloi disa takime të rëndësishme me aktorë të jetës politike në Kosovë, akademikë si dhe me trupin diplomatik të akredituar në Prishtinë.

Gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari Meta i përcolli urimet më të përzemërta për detyrën e re. Nga ana e tij, Veseli falënderoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Të dy krerët e kuvendeve theksuan nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një takim i veçantë ishte dhe ai me akademikun Rexhep Qosja si dhe me shumë personalitete të tjera të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kryetari i Kuvendit u takua me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me të cilin biseduan për zhvillimet politike në të dy vendet dhe ndanë bindjen për intensifikim e marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u takua edhe me Ambasadore e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Tracey Ann Jacobson , ku u bisedua rreth zhvillimeve më të fundit në Kosovë dhe në rajon. /albeu.com/

Lajme të ngjashme

Back to top button