Droga në Lazarat, ‘parajsë’ për të papunët (Video)

Në kohën kur kriza ekonomike ka krijuar numrin më të lartë të papunësisë së shënuar në vite, duket se punësimi nuk është luks për fshatin e njohur si bastioni i drogës, Lazarati. Çdo ditë qindra punëtorë dynden me furgona drejt këtij fshati, që u ofron atyre një rrogë të majme, që në fakt nuk mund ta sigurosh në asnjë lloj pune apo biznesi tjetër në këtë zonë.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga “News 24”, punonjësit dalin që në orët e para të mëngjesit dhe i drejtohen Lazaratit, kundrejt një pagese që arrin 2500 deri në 3000 lekë të reja (rreth 20 euro) në ditë. Një shifër kjo tejet e favorshme për ekonominë aktuale në familjet e tyre. Tashmë Lazarati është bërë i njohur edhe për qytete të tjera të qarkut të Gjirokastrës, si objekt i fitimit të shumave të konsiderueshme.

Në orët e para të mëngjesit, siç shihet dhe nga pamjet, furgoni nga Tepelena, por edhe nga Përmeti zbarkojnë në vendin e quajtur “Ura e lumit” në hyrje të Gjirokastrës duke sjellë dhjetëra banorë të këtyre qyteteve, të cilët më pas transportohen drejt Lazaratit.

Ndërkohë që në pamje shihen dhe plantacione të drogës në Lazarat. Këtë vit fshati ka arritur kulmin e prodhimtarisë madje duke sjellë edhe farën e lëndës më të shtrenjtë të bimës narkotike në Lazarat, që kultivohet brenda tre muajve, duke qenë gati për treg, transmeton BW.

Kërkesa për kultivim të drogës në Shqipëri do të vijojë ende, përderisa Lazarati nuk është bërë asnjëherë pjesë e aksioneve të policisë për të minimizuar kultivimin e drogës. Risi është edhe fakti që kultivuesit e lëndës narkotike, për të mbrojtur sa më mirë drogën kanë vënë mjete logjistike për të monitoruar personat që hyjnë në fshat. Për këtë gjë janë edhe punonjësit, të cilët janë të heshtur kundrejt punës që bëjnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button