Nesër dhe të enjten afati i dytë i provimit të maturës shtetërore

Maturantët të cilët në qershor nuk e dhanë provimin e maturës shtetërore apo njërën nga dy lëndët, do ta hyjnë në provim nesër dhe/apo të enjten, prej orës 10, në lëndën e gjuhës amtare, gjegjësisht lëndën zgjedhore.

Drejtori i Qendrës shtetërore për provime, Jusuf Arifi, deklaroi se numri i kandidatëve për afatin e gushtit është pothuajse i njëjtë sikurse edhe gushtin e kaluar (16 më shumë se vitin e kaluar), ndërkaq rezultatet e testimeve do të shpallen nga fundi i muajit, në mënyrë që këta nxënës të mund të paraqiten në fakultet në afatin e dytë të regjistrimit, më 3 dhe 4 shtator.

Për testin e nesërm në lëndën e gjuhës dhe letërsisë amtare janë paraqitur 518 kandidatë, 264 prej të cilëve në gjuhën shqipe, 237 në gjuhën maqedonase dhe 17 kandidatë në gjuhën turke. Në provimin e lëndës zgjedhore, më 15 gusht, do të hyjnë 1.741 kandidatë, prej të cilëve numri më i madh (1.584) janë paraqitur për testim në gjuhën angleze, 31 për gjuhën franceze, një për gjuhën ruse, 14 për gjuhën gjermane, 107 për nivelin themelor të matematikës dhe katër për lëndën e estetikës.

Nota mesatare në afatin e qershorit ishte 3.18, ndërsa rezultate më të mira pati gjimnazi i Manastirit, “Josip Broz-Tito”.

Sivjet është gjenerata e gjashtë e cila hynë në provimin e maturës shtetërore. Ajo është kusht që maturanti të mund të vazhdojë me arsimin e lartë. Maturantët të cilët në qershor i kaluan të dyja pjesët e provimit përfundimtar, në fund të javës (15 dhe 16 gusht) do të paraqiten për t’u regjistruar në fakultete. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button