Beogradi nxit serbet mos të dalin në zgjedhje në Kosovë

Zyrtarët e Beogradit përvec zvarritjeve që po bëjnë në bisedime, kanë filluar të bëjnë deklarata edhe kundër marrëveshjeve të arritura me palën kosovare. 

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin,ka deklaruar se është e papranueshme për Serbinë që fletëvotimet në zgjedhjet lokale në Kosovë të kenë shenjat e shtetit të Kosovës. 

“Ose OSBE-ja do të jetë neutrale ndaj statusit ose zgjedhje nuk do të ketë”, ka thënë Vulin për RTS, duke shtuare se “Prishtina frikësohet që serbët të marrin të gjitha të drejtat që kanë dalë nga Marrëveshje të Brukselit”. 

“Prandaj, shihet se janë kundërshtarët më të mëdhenj të daljes së serbëve në zgjedhje”, shton ai. “Për të dalë në zgjedhje, serbët nuk duhet ta njohin shtetin e Kosovës dhe serbët nuk duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës. Marrëveshja është neutrale ndaj statusit dhe vetëm me ato kushte, pa simbole të një shteti që nuk ekziston, serbët do t’i pranojnë fletëvotime”. 

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë në Parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun ka vlerësuar se me organizmin e zgjedhjeve edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, Prishtina po ngrit një kurth. 

Ai ia ka tërhequr vërejtjen qeverisë së Serbisë, që të ketë kujdes dhe t’i shmanget një kurthi të mundshëm nga ana e Prishtinës. 

Drecun ka deklaruar për mediat serbe se Beogradi duhet t’i tërheq serbët nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë. 

Madje, ai ka kërkuar nga qeveria në Beograd, që të kërkojë shtyrjen e datës së mbajtjes së zgjedhjeve, duke mos përjashtuar mundësinë që serbët edhe ti bojkotojnë zgjedhjet.

Lajme të ngjashme

Back to top button