Urime për ndërrimin e motmotit!

“Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndonj festë tjetër. … Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë e tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuaj të gjitha dalin nga hipokrizia. Por kësaj herë duhet të hyj në rradhën e njerzve të korrektë dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri të 1937.  … Së pari, t’uroj, shok i dashtun, gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue shkue në Golgotha. Të mos ndëgjosh as dëshpërimin e të mundunve as britmën e ngathnjyesve në këtë jetë. … Gjumin e ambël, shok i dashtun!” – Migjeni

As unë nuk e kam zakon të dërgoj urata për raste të tilla, por kësaj radhe do të doja t’jua uroj ndërrimin e motmotit miqve të mi. Së pari do të doja tа uroj sindikatën dhe drejtorinë e IN Teatri Shqiptar – Shkup të vitit 2006 si dhe gjithë ata që kontribuuan në mos nënshkrimin e marrëveshjes kolektive duke ju uruar gjumin e ëmbël. Të njëjtën jua dëshiroj edhe pasardhësve në këto poste nga viti 2008, të cilët nuk e panë të arsyeshme të luftojnë për të zgjedhur problemin i cili para se gjithash duhet të jetë problem i tyri.

Kolegëve të mi të nderuar, artistët e teatrit shqiptar ju uroj ta vazhdojnë jetën  të lumtur dhe të qeshen edhe pse jetojnë të diskriminuar pikërisht për shkak të neglizhencës së drejtorisë dhe sindikatës së teatrit, si dhe për shkak të neglizhencës së Ministrisë për kulturë, të cilës me datë 17.12.2010 i jam drejtuar me kërkesë për nivelizim të rrogave të punonjësve teatrorë në vend. Le të vazhdojnë të qeshen edhe për shkakun se nga ana e Ministrisë me datë 22.10.2010 e morra përgjigjen ku thuhej: “Ju njoftojmë se në pajtim me mendimin nga ana e Ministrisë së financave nr. 07-7542/2 prej 19.03.2010, në vitin 2010 nuk lejohet avancimi i të punësuarve nga lëmi i kulturës. Në pajtueshmëri me masat antikrize të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi edhe në vitin 2010, nuk ka avancim vertikal të të punësuarve (Përfundim i mbledhjes të 66 të Qeverisë së RM, e mbajtur më 5.05.2010). Sipas indikacionet nga ana e Ministrisë për financa edhe më tej do të duhet të mbeten në fuqi masat antikrize të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.” Më pas fillova edhe unë të qesh dhe pyeta: “Vallë këto masa antikrize vlejnë vetëm për të punësuarit në teatrin shqiptar? Madje, unë nuk kam kërkuar avancim, por e kërkoja atë që më takon me ligj – nivelizimin e të ardhurave në nivel të institucioneve tjera teatrore në republikë, ose së paku në nivel të qytetit.”

Poashtu uroj të jetë gjithmonë i qeshur edhe avokati i popullit i cili në dhjetor të vitit 2010 me shkrim ishte i informuar, me ç’rast u konstatua diskriminimi që më është bërë mua dhe shumicës së artistëve shqiptar, por megjithatë, unë u drejtova te avokati i popullit, me mendim që do të mund ta zgjidhë këtë çështje, sepse sa për ta konstatuar diskriminimin, këtë e kisha bërë vet që moti.

I uroj të qeshen me gaz edhe kryetarit të LSM-së si dhe kryetarit, dhe kryetarit të nderit të SAShK-ut, të cilëve më 27.07.2012 u jam drejtuar me shkrim për të njëjtën çështje, por gjer më sot e kësaj dite nuk kam marrë ndonjë përgjigje, që më detyron të mendoj se nuk më përgjigjen sepse ende qeshen me atë që jua kam bërë me dije që sindikata duhet t’i mbrojë interesat e punëtorëve dhe jo të institucioneve diskriminuese.

Më 21.03.2013 me një buzëqeshje të madhe gjer te Ministria e financave është dorëzuar një peticion ku janë nënshkruar 26 aktorë të teatrit shqiptar, me ç’rast kemi kërkuar të rritet masa bruto e rrogave për ta eliminuar disbalansin e rrogave mes teatrove. Kjo ministri mbeti e shurdhër edhe sot e kësaj dite e si duket nuk kanë vënë buzën në gaz, prandaj edhe ata i uroj të qeshen.

Për të njëjtën gjë e kam informuar edhe zv. Kryetarin e Qeverisë për implementimin e Marrëveshjes kornizë i cili nuk donte ta besonte këtë realitet të hidhur, por edhe nga këtu nuk doli asgjë, përveç gatishmërisë për të qeshur.

Kështu të gjithë të qeshur një ditë do të dalim rrugëve dhe bota do të na e ketë zili e do të thonë: ah, sa të lumtur janë. E kur të vijnë të shohin shkakun e gëzimit tonë, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të fillojë të qesh kikikikakaka. “…Smundja e të qeshunit do të perhapet ndër të gjithë dhe do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe keshtu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht.” – Migjeni

Lajme të ngjashme

Back to top button