Dilema oksorientale

Jeta si një proces gjithnje e më dinamik ku ndërveprojnë së bashku njeriu, koha-historia dhe shoqëria nuk ka se si të përmbushë kuptimin e saj përveç se nëse zgjidhen vlerat e mirëfillta. Për njerëzit që pak a shumë kanë vizion dhe që e njohin jetën, apo për ata  që arrijnë të mendojnë objektivisht dhe që e vërejnë pikturën apo fotografinë si nëj e tërë, hipoteza  e lartpërmendur del e kuptimtë, por të njëjtin reagim nuk mund ta shfaqin shumë njerëz nga një pjesë e botës, nga hemisfera moderniste e paramoderniste që ende nuk kanë arritur të krijojnë identitetin e vet të mirëfilltë, me një larmi kulturave e të njerëzve, duke e pranuar tjetrin si të barabartë me veten.

Përparimi e bëri një pjesë të botës, dominues të kohës, pozitëmbajtës dhe gjykues. Jo rastësisht edhe hasim paragjykime nga më të ndryshme të Botës së Parë mbi tjetrin, Orientin, islamin, mbi këtë zonë rezistuese, mbi fenë më vitale “të Lindjes” e cila veten e sheh si qendra e re e gravitetit. Ky fenomen mund të perkufizohet si orientalizim ose orientofobi e reduktuar në islamofobi që sot dallgëzohet në mbarë botën.

Kur themi Perëndim, gjërat e para që na vijnë në mendje janë “qytete te zhvilluara e te populluara, moderniteti, teknologjia, forcat moderne ushtarake etj.” Stereotipe mjaft tërheqese për këdo, ndërsa Orientit dhe islamit i është mveshur petku me etiketat “prapambeturi, sulme vetëvrasese, terrorizëm, gra me liri të kufizuara etj”. E ç’bëjnë sot muslimanët për të eliminuar këtë imazh negativ, është tjetër çështje që duhet diskutuar gjerë e gjatë. Sipas meje, nëse tentojmë t’i marrim gjërat shtruar dhe të zbresim në rrënjët e problemit për të dhënë një diagnozë të shëndoshë duhet të fillojmë nga qartësimi i koncepteve kryesore si islami dhe Perëndimi, muslimanët dhe bota moderne. Islami literalisht ka kuptimin e gjetjes së paqës dhe prehjes duke iu nënshtruar Zotit, fjalë dhe mënyrë jetese qe daton që nga shek 6-7 pas erës sonë, ndërsa fjala Perëndim shihet se ka zëvendësur fjalën “Oksident” që përdorej në shek. 14 dhe do të thotë vendi ku perëndon dielli. Paqja dhe perëndimi janë armiqësuar sot. Hendeku me kalimin e kohës u ideologjizuar tepër saqë sot Oksidenti dhe orienti shihen sy dy botë, madje edhe në epokën e globalizimit, si dy oponentë që bëjnë mundje viganësh.

Në këtë kontekst, mosmarrëveshjet ndërmjet këtyre dy aktorëve të mëdhenj  të historisë, që me diskursin aktual definohen si “përplasje e qytetërimeve” i marrin përmasat nga vetë fakti se edhe islami edhe Perëndimi refuzojnë te mbeten lokalë në kuptimin kulturor e fetar dhe përpiqen të ndërtojnë nje gramatikë universale të qytetërimit dhe natyrisht, ka pasuar procesi i inkludimit dhe transformimit të trashëgimive të tjera kulturore dhe mendore. Që nga mesjeta e deri në ditet tona islami është perceptuar nga perendimi si një sfidë fetare, teologjike dhe kulturore. Shohim më tutje, në Rilindje, përiudhe kjo e karakterizuar me një përbuzje të theksuar ndaj religjionit,   imazhi i islamit admirohet si kulturë dhe qytetërim ndërsa urrehet si fe, ndersa feja dihet se është përbërësi kryesor i identitetit te një popullsie-entiteti qytetërimor. Këtu natyrisht bëhet fjalë për islamin aktiv, islamin ndërtues jo rrënues, islami që ndikonte e jo që ndikohej. Një nga mendimtarët e mëdhenj, Kanti i sheh muslimanët si “njerëz mendjemëdhenj për shkak të besimit të tyre”, ndaj dhe “misioni për të qytetëruar tjetrin” nga Hegeli dhe Marksi dhe deri tek misionarët franceze është një nga bindjet rrenjesore te intelegjencies europiane te shekullit 19, madje edhe sot (Afganistani, Lindja e Mesme, Afrika).

Përderisa muslimanët mundoheshin me vetëdije t’u rezistonin novacioneve dhe zhvillimeve me hapa gjigandë të Perëndimit duke pretenduar se shekullarizmi, pozitivizmi, nacionalizmi, kolonializmi, kapitalizmi e prishin strukturën shoqërore dhe sjellin më shumë dëm se dobi, Evropa përpiloi planin e saj të ri   për të goditur armikun me armën e vet, bëheshin   perkthime te Kur’anit, shkruanin libra me permbajtje negative mbi fenë dhe Profetin e kështu me radhe. Nuk shkoi shumë kohë dhe muslimanët sikur u zgjuan nga gjumi i tyre, bota islame e rizbuloi Evropën dhe paralel me këtë ndodhi edhe zbulimi i modernitetit. Fatkeqësisht, përballë kesaj Evrope të re, të zhvilluar dhe të përparur e gjithmonë në progres drejt sukseveve të reja, muslimanët e gjejnë veten “të prapambetur dhe dogmatikë, si bashkësi te cilës i ka ikur treni i modernitetit”, gjë kjo e perceptuar si plan mjaft mirë i skicuar nga rendi i ri eurocentrik. Por ku ishin oksidentalët, ku janë sot?

Le t’iu kthehemi problemeve aktuale, në një bote me popullsi mbi 1.5 miliardë muslimanë marrëdhëniet islam-Perëndim janë mjaft delikate dhe hapësira e veprimit dhe e jetesës së muslimanëve dita-ditës ngushtohen. Në veçanti e atyre në Perëndim. Një nga zgjidhjet mund të jetë qe të pranohet dhe të përhapet multikulturalizmi dhe pluralizmi i vërtetë me qëllim që të arrihet integrimi social i çdo qenieje konstruktive. Nuk bëhet fjalë për asimilim por për krijimin e një mozaiku ku të gjithe mund t’i ruajnë veçoritë e veta, ku dallimet e tjetrit e pasurojnë dhe forcojne unin e çdokujt, ndërsa atyre që janë indiferentë në një botë globale u mbetet që si shoqërues në jetë ta kenë parollën: “Arsim, arsim, arsim”! Dhe dilemat vazhdojnë, si të jetohet në një botë ku mosbesimi dhe ekzekutimet me fjalë e vepër janë bërë kod ditor. Pakistani, Australia e këtyre ditëve po na trazojnë të gjithëve! Njeri, para së gjithash njihe veten dhe thelbin tënd, njihe tjetrin, ngado që të jesh, para së gjithash je qenie fisnike, pasqyro vlera, hapi horizontet… Pse gjeografia dhe përkatësitë të na e zhdukin fisnikërinë. Oksorienti im, një botë në vete, e hapur, pa murëzime mendore e fizike, pa trishtime reale-virtuale, pa ngërçe globaliteraliste. Jam Oksident e Orient, qenie bispirituale, jam bota vetë, në fakt unispirituale. Por, dilemat e imponuara, në kokë shushsurisin edhe më tej!

Sumeja Pajaziti, studente e mjekësisë në Universiteti Ulludag, Bursa

Lajme të ngjashme

Back to top button