“Monstra”, në shkurt pritet të kemi seanca publike

Gjykata e Apelit më datë 10 dhjetor ka pranuar ankesën e palës mbrojtëse së bashku me aktvendimin e gjykatës Themelore, lidhur me rastin “Monstra”. Avokati mbrojtës Naser Raufi bën të ditur për Portalb, se në fillim të vitit të ardhshëm pritet që të fillojë seanca publike për rastin në fjalë.

“Gjykata e Apelit pranoi ankesën dhe aktvendimin dhe pritet që në muajin shkurt të fillojë seanca publike, pasi që muaji janar është i mbushur me festa dhe seanca nuk do të mund të realizohet”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se është optimist dhe se beson në përvojën e gjykatësve të kësaj gjykate.

Besoj në përvojën e gjykatësve të Apelit dhe shpresoj që gjykimi do të jetë i drejtë dhe jo i manipuluar”, shtiu Raufi.

Nga ana tjetër, familjari i Fejzi dhe Haki Azirit, Bedri Ajdari thotë se transferimi i familjarëve të tij në burgun e Idrizovës dhe të Shtipit gjatë javës së kaluar, nuk e gëzon sepse ata janë të pafajshëm dhe duhet të jenë të lirë.

“Janë kushtet më të mira në këto burgje, por ata duhet të jenë të lirë, janë të pafajshëm. Nuk besoj në drejtësi dhe mendoj se edhe në Gjykatën e Apelit nuk do të bëhet gjë. Jam i bindur se në Maqedoni drejtësia nuk ekziston dhe ligji nuk funksionon. Përderisa kjo të jetë kështu nuk besoj se do lirohen të pafajshmit që enden burgjeve”, tha për Portalb, Ajdari.

Ai shtoi se ekziston mundësia që sërish të aktivizohen protestat pasi që është optimist lidhur me procedurat e Apelit, pasi që sipas tij që në start fillojnë me zgjatje të procedurave.

“Nuk jam optimist, tani sa e morën lëndën dhe e zgjasin procesin me fillim. Nuk e di ka mundësi sërish të protestojnë, por u vërtetua se protestat në Maqedoni nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm, edhe pse është shtet demokratik. Si protestat tona ashtu edhe ajo e studentëve ditë më parë as nuk u morën parasysh nga shteti. Asnjë kërkesë nuk plotësohet edhe pse të gjithë ngritën në këmbë”, shtoi Ajdari.

Ndërkaq aktivistë nga Diaspora kanë ndërmarrë masa për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtarë në lidhje me rastin “Monstra”, prijës i këtij organizimi është Florim Kadriu.

“Sot po e dorëzojmë në Parlamentin e Zvicrës peticionin kundër rastit ‘Monstra’. Atë që s’e bën politika shqiptare në Shkup mundohemi t’a bëjmë këtu në mërgim ne që po ajo politikë na ftonte të mbjellin kastravecë në vendlindje e të ruajmë dele. S’ka rëndësi, shpresojmë që t’ia arrijmë qëllimit me ndihmën e Zotit dhe drejtësisë”, shkruan Hadi Osmani, aktivist. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button