Himarë, “Agimi i artë” bën akte antishqiptare

Tre vjetori i vdekjes së të riut të minoritetet grek, Aristotel Guma, në Himarë, i cili u përplas nga një automjet në hyrje të qytetit, ka shkaktuar tensione në qytetin e mbushur me turistë.

Gazetari i “News24”, Artan Hoxha bëri të ditur nga vendi i ngjarjes se forcat ekstremiste greke kanë kryer akte antishqiptare gjatë ceremonive përkujtimore në kishë dhe në varreza, në përpjekje për ta kthyer Aristotel Gumën nga një viktimë e aksidentit në një martir që ka rënë për të mbrojtur interesat e Greqisë në Himarë.

Mësohet se eksponentët e “Agimit të Artë” kanë kërkuar të kryejnë një rit brenda kishës në Himarë-fshat, por prifti është larguar nga kisha. Ndërkohë në ceremoninë që është zhvilluar në varrezat e fshatit, një grup të rinjsh të veshur me bluzat e zeza të “Agimit të Artë” shpalosi flamurin e Vorio-Epirit dhe të Agimit të Artë dhe lexoi një deklaratë antishqiptare dhe antikushtetuese.

Eksponentët e “Agimit të Artë” kanë sulmuar reporterët shqiptarë, duke tentuar t’i ndalojnë për të filmuar. Policia e cila ishte e pranishme, nuk ka ndërhyrë për të shmangur sulmin dhe si pasojë mediat u larguan nga varrezat e Himarës./Indeksonline/  

Lajme të ngjashme

Back to top button