Vlorë, fluks emigrantësh, prej 1 gushtit kanë hyrë 8000 persona

Më shumë se 8000 emigrantë, të cilët jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës, kanë hyrë në 10 ditët e para të muajit gusht në pikën kufitare të portit të Vlorës, me tragetet që përshkojnë këtë linjë detare, duke u nisur nga Brindisi, shkruan BalkanWeb.

Burime zyrtare të pikës kufitare të këtij porti, bënë të ditur se fluksi i emigrantëve që kthehen përmes linjës detare Brindisi-Vlorë, kryesisht për të kaluar pushimet në vendlindje, ka ardhur në rritje dhe me të njëjtin ritëm pritet të vazhdojë deri në 15 gusht.

Të shtunën u shënua edhe numri më i madh i udhëtarëve, kur në pikën kufitare të portit hynë më shumë se 1500 persona, emigrantë dhe turistë të huaj që kanë zgjedhur bregdetin e këtij qyteti për të kaluar pushimet.

Krahas tyre, në pikën kufitare të portit të Vlorës, kanë hyrë edhe disa dhjetëra shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, një pjesë e të cilëve kanë qëndruar në qytetin bregdetar për të kaluar pushimet, apo kanë vazhduar udhëtimin për në vendet e tyre.

Gjatë këtij sezoni, sipas të dhënave nga agjencitë e udhëtimit, ky numër ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, por intensiteti i kthimit në ditët e fundit është tepër i lartë.

Lajme të ngjashme

Back to top button