Gega në gjysmëfinalen e 1500 m në Botërorin e Moskës

Luiza Gega mban lart flamurin shqiptar në Botërorin që po zhvillohet në Moskë. Në disiplinën e 1500 metrave, atletja shqiptare, kampione dhe rekordmene e Shqiprisë, arriti të kualifikohet për në gjysmëfinale, pasi u pozicionua në vendin e 8-të nga 13 pjesmarrëset në baterinë e saj, atë numër 1.

Atletja shqiptare, e cila garoi në orën 08:25 të së dielës, arriti të regjistrojë kohën e 4 minuta, 8 sekonda e 76 të qindtat. Shqiptarja u rendit e teta, ndërkohë që në tre bateritë kualifkuese, arrinin të kalonin më tej gjashtë të parët, dhe gjashtë atletet e tjera me kohën më të mirë, mes të cilave Gega ishte e treta, transmeton supersport.al.

Gjithsesi atletja durrsake duhet thënë që nuk regjistroi rezultatin e saj më të mirë, i cili është ai i regjistruar në Sceszin këtë vit me kohën e 4 minuta 5 sekonda e 11 të qindtat, pak më i shpejtë se rezultati me të cilin ajo mori medalje argjendi në Lojrat Mesdhetare.

Nëse Gega do të kishte regjistruar rezultatin e saj më të mirë, ajo do të kishte qënë e para nga të treja bateritë kualifikuese. Garën gjysmëfinale atletja shqiptare, do ta ketë me datë 13 Gusht, në 18:40 me orën tonë dhe do të garojë në baterinë numër 1. Në finale, kualifikohen pesë atletet e para për cdo bateri dhe 2 kohët më të mira.

Lajme të ngjashme

Back to top button