47 tonë cigare kontrabandë, burg kapitenit të anijes

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës shpalli fajtor kapitenin ukrainas të anijes “ERA 1” me inicialet V. D., i cili u arrestua më 16 maj 2014, pasi në bordin e anijes që ai drejtonte u konstatua dhe më pas u sekuestrua nga dogana shqiptare, një sasi prej 47 tonë cigaresh kontrabandë, të cilat po tentohej të futeshin në territorin shqiptar.

Gjykata shpalli fajtor kapitenin për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, të kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë. Për këtë vepër penale u dha dënimi me dhjetë muaj e njëzet ditë burgim.

Cigaret kontrabandë u kapën në maj të këtij viti, në anijen “ERA 1”, nga Strukturat e Specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Anija ishte larguar nga Rada e Portit të Vlorës pa lajmëruar autoritetet portuale. Por falë ndërhyrjes së Strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Njësisë së Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Durrës, dhe Policinë e Shtetit, u bë i mundur shoqërimi i anijes për në portin e Durrësit.

Gjatë kontrollit në anije u konstatuan një sasi cigaresh kontrabandë që shkonin deri në 47 tonë ose 4477 koli, të cilat ishin futur në mënyrë të paligjshme në territorin doganor shqiptar.

Sasia e cigareve arrinte një vlerë tregtare rreth 10 milionë dollarë, dhe do të tentohej të hidhej për konsum në tregun shqiptar, duke shmangur kështu detyrimin doganor në shumën e 250 milionë lekë ose 2.5 milionë dollarë./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button