Mbi dy mijë familje serbe duan të kthehen në Kosovë

Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jablanoviq, pohoi se mbi dymijë familje serbe janë të interesuar të kthehen në Kosovë dhe se për këtë, do të duhet të ndryshohet tërësisht strategjia për kthim.

“Strategjia për kthimin e personave të zhvendosur në Kosovë duhet të ndryshohet tërësisht, ku kthimi do të duhet të bëhet në vendbanimet, në të cilat tashmë janë të shtrira institucionet”, deklaroi Jablanoviq për programin e gjuhës serbe të Radio Kosovës.

Ai bëri të ditur se ka një listë prej mbi dymijë familje serbe që janë të interesuara të kthehen në Kosovë.

“Unë kam në dispozicionin një shifër prej rreth 2.300 familjeve të cilët janë të interesuara të kthehen në vendbanimet e tyre”, shtoi Jablanoviq.
Sipas tij, për kthimin e sigurt të tyre është tejet i rëndësishëm koordinimi i mirë në mes të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim si dhe strukturave të sigurisë. Ndërsa për kthim të qëndrueshëm të serbëve, në pyetje është edhe ana financiare.

Ai zbuloi se Qeveria e kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa t’i ketë premtuar një buxhet Ministrisë për Komunitete dhe Kthim prej rreth 7.6 milionë euro, gjë që është dy milionë më tepër se në kohën e ish kryeministrit, Hashim Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button