Pakistani në zi, nderohen viktimat e masakrës

Flitet se masakra e ndodhur një ditë më parë në Pakistan u krye nga talebanët si shenjë hakmarrje për fitimin e Çmimit Nobel nga Malala Jusafzai. Por edhe me standardet e talebanëve ngjarja e së martës ishte një tragjedi e vërtetë.

Pakistani ka nisur tre ditë zie kombëtare për 132 fëmijët dhe nëntë pjestarët e stafit të shkollës ushtarake të masakruar një ditë më parë nga talebanët.

Të 141 personat u vranë kur militantët të veshur si forca të ushtrisë dhe me eksplozivë në trup sulmuan Shkollën Publike Ushtarake në Peshauar në shenjë hakmarrje për operacionet e ushtrisë në rajonet fisnore.

Zëdhënësi i ushtrisë paksitaneze tha në një konferencë shtypi se forcat e sigurisë vranë 7 nga sulmuesit dhe pastruan shkollën nga eksplozivët.

Sot do të kryhen edhe funeralet për viktimat. Sulmi u dënua nga President i Pakistanit Mamnoon Husain dhe kryeministri Nawaz Sharif, të cilët u zotuan se nuk do të frenohen dhe do të vazhdojnë operacionet kundër militantëve.

Presidenti amerikan, Barak Obama, duke reaguar ndaj vrasjeve tha se “duke vënë në shënjestër nxënësit dhe mësuesit me këtë sulm të neveritshëm, terroristët treguan edhe një herë poshtërsinë e tyre”.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Pakistanit në luftën kundër terrorizmit.
Zëdhënësi i talebanëve, Muhammad Umar Khorasani, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se grupi i tij është përgjegjës për sulmin.
“Sulmuesit tanë kamikaz hynë në shkollë. Ata ishin të udhëzuar të mos lëndonin fëmijët, por personelin ushtarak. Kjo është hakmarrje ndaj ofensivës ushtarake në Vaziristanin verior” tha ai, duke ju referuar një ofensive ndaj grupit të tij që kishte filluar në qershor.

Lajme të ngjashme

Back to top button