Rreth 20 banesa, shtëpi dhe toka presin shitjen

Tetë objekte banimi, banesa dhe shtëpi, nga java e ardhshme do të hidhen në ankand publik. Sipas të dhënave zyrtare, bëhet fjalë për tetë objekte që janë konfiskuar nga organet e rendit për arsye të ndryshme, të cilat pritet të fitojnë pronarë të rinj, me çmim shitjeje që nuk dallon shumë nga çmimi i tregut, shkruan Koha.

Janë të dhënat e Agjencisë së administrimit të pasurisë së konfiskuar, ato që zbardhin se shitje në fakt presin rreth njëzet pasuri të paluajtshme, siç janë banesat, shtëpitë dhe tokat e ndryshme, por ditëve në vijim do të vihen në shitje tetë nga numri i përgjithshëm i pasurive të paluajtshme. “Gjatë periudhës së kaluar kemi shitur disa pasuri të paluajtshme, ndërsa ditëve në vijim pritet të hapet shpallja publike e radhës, me të cilën do të vihen në shitje tetë objekte të reja, shtëpi dhe banesa”, konfirmoi Bashkim Ahmeti, drejtori i Agjencisë së administrimit të pasurisë së konfiskuar. Ndër të tjera, kjo agjenci ka në posedim të përkohshëm edhe mbi një mijë automjete të markave dhe llojeve të ndryshme, të cilat për dallim nga pasuria e paluajtshme mbeten për nevojat e institucioneve vendase, të nivelit qendror ose të pushtetit lokal.

Sipas të dhënave zyrtare, midis automjeteve të konfiskuara në forma të ndryshme mund të gjenden automjete të lira, por edhe automjete luksoze, një numër i madh i të cilave shpesh përfundojnë për nevojat e Ministrisë së Brendshme dhe policisë. Praktika e viteve të fundit vërteton se automjetet luksoze zakonisht konfiskohen me operacionet e ngjashme me atë që u zhvillua ditëve të fundit në qytetin e Gostivarit, që mori emrin Çekani.

Lajme të ngjashme

Back to top button