Dopingu në futboll – Temë tabu për një kohë të gjatë

Për dopingun në futboll deri tani është folur shumë pak. Kjo ka ndryshuar ditët e fundit. Një vështrim në historinë e futbollit tregon: se ka shumë gjëra për t’u sqaruar, edhe në futbollin gjerman.

Kur Joachim Loew të enjten (08.08.2013) të hapë sezonin e ri të ndeshjeve mes vendeve me një konferencë për shtyp, do t’i duhet t’u përgjigjet pyetjeve, që rrallë shtrohen në rrethin elitar të ekipit kombëtar të futbollit. Që nga publikimi i pjesshëm i studimit mbi dopingun në Gjermaninë Perëndimore, edhe aktivët në futboll konfrontohen me problemin e dopingut.

“Transparencë dhe çiltërsi. Ne të gjithë duam sport të pastër. Këtë kërkojmë edhe ne në Federatën Gjermane të Futbollit”, thotë trajneri i ekipit kombëtar. Futbollistëve të kombëtares i është kërkuar nganjëherë të jenë “në mëngjez në orën 05:30” për kontroll në fushat e stërvitjes, kujton ai dhe shton me të shpejtë: “Kjo më duket absolutisht pozitive, nëse herë pas here bëhen kontrolle me kujdes të madh dhe rigorozitet. “

Transparencë. Sinqeritet. Përpikëri. Rigorozitet. Jogi Low përdor shprehje të forta për të përshkruar qëndrimin e punëdhënësit të tij kundër dopingut. Ai lavdëron punën e shoqatës së tij, edhe pse Federata Gjermane e Futbollit (DFB), në të kaluarën ka sinjalizuar pak interes për të hetuar seriozisht akuzat për doping në historinë e saj.

Studiuesit tërheqin vëmendjen për doping në Kampionatin Botëror 1954 dhe 1966

Para shtatë vjetësh historiani Erik Eggers botoi një shkrim mbi “heronjtë e Bernës”. Vite të tëra ai ka hulumtuar mbi ekipin gjerman kampion botëror në vitin 1954. Përfundimi i tij: Shumë lojtarë në ekipin kampion botëror kanë marrë injeksione. Eshtë shumë e mundur që ato të kenë qenë me pervitin, një lëndë stimuluese, e cila në Luftën e Dytë Botërore u është dhënë ushtarëve të lodhur dhe pilotëve.

Historiani sportiv Eggers i vazhdoi kërkimet. Si bashkëpunëtor në studimin “Dopingu në Gjermani nga vitet 1950 deri sot” Studie “Doping in Deutschland von 1950 bis heute“, studim shumë i diskutuar momentalisht, ai zbuloi një letërkëmbim ndërmjet federatës botërore të futbollit FIFA dhe federatës gjermane të atletikës së lehtë (DLV) të vitit 1966. Pasi u bënë testet e para të dopingut në Kampionatin Botëror në Angli, analizat treguan gjurmë ephedrine tek tre lojtarë të ekipit gjerman, shkruante FIFA. Marrja e ephedrinës u ndalua, por megjithatë nuk çonte në ndonjë përjashtim.

Arkivat e DFB mbeten të mbyllura

DFB reagoi, ngarkoi Martin Nolte-n një ekspert, i cili nuk dëshmoi asnjë shkelje të rregullave të atëhershme të anti-dopingut. Argumentimi i tij i plotë nuk botohet nga DFB, gjë që e zemëron historianin Eggers. “Të paraqesësh thjesht deklarata, sipas të cilave ekspertë kanë deklaruar të kundërtën, nuk mjafton”, thotë Eggers në një intervistë me DW. Dokumente të tjera të kohës do të kishin ndihmuar për të hedhur dritë mbi çështjen. Por DFB ia kushtëzoi ekipit të studjuesve të Eggersit aksesin në arkivat e saj me kushte të rrepta në lidhje me publikimin e tyre. Këtë studjuesit e refuzuan. Hyrja në arkiva mbeti e pamundur.

Në Kampionatin Botëror në Angli në vitin 1966 20-vjeçari Franz Beckenbauer hyri për herë të parë në skenën e madhe të futbollit. Edhe ai është prononcuar këto ditë në lidhje me akuzat për doping në debutimin e tij kampionatin botëror: “Unë kam qenë aty. Nuk dinim se çfarë është dopingu. Nuk e njihnim as si fjalë …” Kjo deklaratë është befasuese, Franz Beckenbauer në këtë turne është kontrolluar së paku një herë për doping. Revista “Der Spiegel” njoftonte gjatë turneut në numrin e saj te dates 18 korrik 1996 Ausgabe vom 18. Juli 1966, se Beckenbauer dhe Siegfried Held pas lojës së parë është dashur të jepnin “urinën në epruveta”.

Libri i Schumacher-it qe pikë kthese

Në ndeshjet ndërkombëtare testet e dopingut që nga viti 1966 u bënë procedura të zakonshme. Po në futbollin gjerman funksionarët refuzonin të fusnin kontrollet edhe në vitet më vonë. “Ka dokumente, nga të cilat konstatohet se ish-sekretari i përgjithshëm i DFB në vitin 1979 i ka deklaruar Konfederatës Gjermane të Sportit se thjesht nuk do të ndjekim rregullat, kur të jetë fjala për dopingun”, thotë Erik Eggers .
Humbi karrierën pas zbulimeve të dopingut, Toni Schumacher, portieri i kombëtares gjermane

Vetëm libri i Toni Schumacher “Fishkëllima e arbitrit” qe pika e kthesës. Syri i tij i mprehtë në raftet e ilaçeve gjatë Kampionatit Botëror 1986 nxori në pah të dhëna, që bënë bujë të madhe. Portierit Schumacher ky botim i kushtoi shumë, humbi vendin në kombëtare, dhe në klubin FC Këln.

Nën presionin publik DFB në vitin 1988, pas viteve të tëra refuzimesh, iu bashkua rregullave anti-doping të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe filloi të kontrollojë në ndeshjet brenda vendit. Vetëm në vitin 1995 pasuan kontrollet e para gjatë stërvitjes. Që nga ky sezon DFB do të kontrollojë edhe gjakun e profesionistëve gjatë stërvitjes përmes agjencisë kombëtare anti-doping (NADA). Hormonet e rritjes apo dopingu në gjak mund të zbulohen vetëm përmes një analize gjaku, dhe jo përmes analizës së urinës.

Neglizhencë në kontrollin e dopingut

Se sa pak seriozisht është marrë lufta kundër dopingut në futboll, e bën të qartë një skenë nga filmi i nderuar me çmim i Sënke Wortmann “Gjermania. Një përrallë vere.“ për Kampionatin Botëror 2006: Pas ndeshjes së fundit në grupe të kombëtares gjermane, Oliver Neuville thirret për kontroll dopingu. Një “chaperons”, një punonjës i kontrollit të dopingut, do që ta shoqërojë atë në banjo. Neuville thotë: “Kur është dikush tjetër aty, unë nuk mundem.“ Me të vërtetë kontrollori e lë lojtarin e kombëtares dhe pret para derës gjysëm të hapur gotën me urinë. Pa u vënë re Neuville në këtë situatë do të kishte patur mundësi të mjaftueshme që të manipulonte urinën e tij.

Edhe Maradona mëkatar dopingu

Që nga fillimi i kontrolleve janë regjistruar 20 raste dopingu në futbollin gjerman, megjithë mekanizmat jo të plota të kontrollit. Edhe jeleku i dopingut i futbollit ndërkombëtar nuk është i bardhë. Në prill të vitit 2013 mjeku spanjoll i dopingut Eufemiano Fuentes konfirmoi para gjyqit: “Unë kam asistuar sportistë të disiplinave të ndryshme: futbollistë, boksierë, atletë”.

FC Barcelona, Real Madrid, Real Sociedad San Sebastian, tre ekipe që duhet të ketë qenë klientelë e Fuentes. Një tjetër mjek dopingu ka lidhje me FC Barcelona: Luis Del Moral, dikur mjek i ekipit të çiklizmit në rastin e dopingut të Lance Armstrong. Pas karrierës së tij në çiklizëm u bë “këshilltar mjekësor” i klubeve të ndryshme të futbollit.

Superstari argjentinas Diego Armando Maradona gjatë kontrollit të dopingut në Kampionatin Botëror 1994 është testuar pozitivisht, ndër të tjera edhe me ephedrinë, dhe është përjashtuar nga turneu. Dy vjet më vonë Juventusi i Torinos fitoi Ligën e Kampionëve, sipas zbulimit italian të lëndëve narkotike me një përdorim të konsiderueshëm medikamentesh.

Prokuroria mblodhi 40.000 faqe dokumenta. Edhe emri i Zinedine Zidane, tri herë worldplayer, shfaqet aty në lidhje me lendën e dopingut në gjak EPO. Francezit Didier Deschamps iu desh të japë në fund llogari para senatit francez lidhur me akuzat e dopingut ndaj ekipit kombëtar, të cilin ai e kishte drejtuar si kapiten në Kampionatin Botëror 1998. Lista e mëkateve doping mund të vazhdojë. Historia na mëson: edhe dopingu i takon biznesit miliardësh, futbolli gjithashtu.(DW)

Lajme të ngjashme

Back to top button