Studentët e USHT-së ekspozojnë punimet e tyre artistike

Universitetit Shtetëror të Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Arteve, gjatë ditës së sotme e hapi ekspozitën artistike në ambientet e Rektoratit.

Kjo ekspozitë është përgatitur me veprat e profesorëve dhe studentëve të programit studimor të Artit figurativ, për nder të themelimit të 20 vjetorit të Universitetit tonë.

Kjo ekspozitë ofron sekuenca me interes të punës individuale stilistike të secilit artist pjesëmarrës. Në këtë eveniment të pranishëm ishin Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, stafi akademik, profesorë dhe studentë.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Muamer Sadiku, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve vuri në dukje se Fakulteti i Arteve duke u bërë pjesë e manifestimeve për shënimin e 20 vjetorit të USHT-së, dëshmon të arriturat në fushën e arteve dhe sa vjen e më shumë po rritet në një institucion të mirëfilltë arsimor dhe artistik.

“Nga fakulteti ynë kanë dalë me dhjetëra e qindra të diplomuar, disa nga të cilët po dëshmohen si bartës aktivitetesh në të gjitha fushat artistike, figurative, muzikore dhe skenike.

Me anë të kësaj ekspozite, me veprat e mësimdhënësve dhe studentëve të programit studimor të Artit figurativ shpresojmë se kemi kontribuar sadopak në begatimin e programit kushtuar këtij jubileu domethënës për arsimin shqip dhe universitetin tonë.

Por, njëherësh kemi sjellë edhe potencialin krijues në fushat e ndryshme të artit figurativ, të shprehur pothuajse në të gjitha vokacionet artistike, gjë që e konsiderojmë një arritje të përbashkët universitare”, tha dekani i Fakultetit të Arteve, Muamer Sadiku.

Përveç ekspozitës, Fakulteti i Arteve i Universitetit Shtetëror të Tetovës sonte në Qendrën për kulturë në Tetovë, në nderim të këtij viti jubilar për USHT-në do të organizojë një koncert artistik të përgatitur nga profesorët dhe studentët e këtij fakulteti.

Lajme të ngjashme

Back to top button