Mustafa: Brenda marsit mbledhja e dy qeverive shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është zotuar të martën, në një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, se qeveria e re e Kosovës do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare.

Kryeministri Mustafa ka konfirmuar për Top Channel se po punon që në tremujorin e parë të vitit 2015 qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të mbajnë mbledhjen e radhës të përbashkët, praktikë kjo që ka nisur nga qeveria e kaluar.

“Takimi i qeverive mendoj se duhet të bëhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Ne i konsiderojmë shumë të rëndësishme takimet e përbashkëta me qeverinë e Shqipërisë. Konsiderojmë po ashtu të rëndësishëm edhe bashkëpunimin e ministrive tona me ministritë përkatëse në Tiranë. Kemi interes shumë të madh për bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të ndryshme si në arsim, kulturë dhe të zhvillimit të turizmit”, ka deklaruar Mustafa.

Në takimin me ambasadorin Minxhozi, Mustafa ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për rolin e qeverisë së tij në ndihmë të Kosovës.

Ndërsa diplomati shqiptar në Prishtinë i ka përcjellë Mustafës ftesën për një vizitë zyrtare në Tiranë, për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Diplomati shqiptar të martën ka takuar edhe kryeparlamentarin e ri të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin po ashtu ka diskutuar për bashkëpunimin parlamentar.

Lajme të ngjashme

Back to top button