Kontrolli mbi mësimdhënësit një farsë që nuk i ndihmon procesit arsimor

Mësimdhënësit gjatë muajve të fundit u janë nënshtruar kontrolleve të shpeshta nga inspektorët, të cilët kanë qenë të pranishëm në orët e mësimit duke vlerësuar kështu punën e mësimdhënësve.

Edhe pse ende nuk ka përgjigje lidhur me punën e mësimdhënësve, se kush do të dënohet dhe në çfarë mënyre do të dënohet nga raporti i inspektorëve, sërish vlerësohet se kontrolli mbi ta është tejet i madh.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti vlerëson se kontrolli i këtij lloji nuk i ndihmon procesit mësimor.

“Kontrollet janë mekanizma për t’i mbajtur me frikë mësimdhënësit. Vlerësoj se këtu jo që nuk ka kushte të implementohen kontrolle por as që i ndihmojnë procesit. Thjeshtë qëllimi është të mbahet pushteti përmes frikës”, tha për Portalb, Rushiti.

Ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu, bën të ditur për Portalb, se testimi ekstern nuk është mënyra më e mirë për vlerësimin e profesorëve.

Për shkolla fillore dhe të mesme në këtë aspekt,MASH,ka mjaft lëshime. Nuk ka profesionalizëm të mirëfilltë. Përpiluesit e këtij testimi kanë marrë në qafë arsimtarë e profesorë të mirë dhe kanë vlerësuar me nota të larta, ose kanë mbivlerësuar disa arsimtarë mediokër. Disa janë ndëshkuar pa meritë,e ca të tjerë janë shpërblyer edhe pse nuk e meritojnë. Kjo ka shfaqur pakënaqësi dhe indinjatë te shumica e arsimtarëve me dinjitet”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai bën të ditur se përse ndodh e gjithë kjo, sepse nuk ka seriozitet të mjaftueshëm në këtë punë. Sipas Kadriut MASH, këtë çështje duhet ta rishikojë mirë dhe me kujdes.

Ndërkaq ish kryetari i LASH-it të Kumanovës, Etem Xheladini disa herë theksoi për Portalb se ky kontroll është projekt i dështuar dhe se po realizohet për të shpërqendruar mësimdhënësit nga problemet kryesore, si që janë paga dhe kushtet.

Testimi shtetëror në Universitete

Ditëve të fundit studentët treguan pakënaqësi të madhe lidhur me testimin shtetëror në arsimin e lartë dhe disa herë ata marshuan për të treguar se ata janë kundër këtij testimi.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti thotë se çdo ditë ka ndryshime të shumta të cilat sipas tij janë në shërbim të politikës ditore.

“Aq shumë ndryshime bëhen për çdo ditë sa që nuk mund të ndiqen e lëre më të implementohen. Provimi ekstern ose shtetëror në arsimin e lartë  me kokëfortësi dëshmon se risitë janë në shërbim të politikës ditore”, tha për Portalb, Rushiti

Kurse nga ana tjetër ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu vlerëson se kemi nevojë për testim në arsimin e lartë por është kundër mënyrës se si doli në publik MASH lidhur me këtë çështje

“Testimi ekstern, Personalisht mua si person kjo formë e kontrollit së punës nuk më pengon fare. Për mendimin tim, kemi nevojë për një mësim të mirëfilltë në të gjithë procesin shkallët e arsimit;si në atë fillor,të mesëm dhe sipëror. Iku më koha e atyre mësimeve” fakultative”,që bëheshin për të zhdukur analfabetizmin. Është momenti të kërkojmë dhe të luftojmë të gjithë për cilësi dhe kualitet!

Mënyra e të dalurit në opinion më duket ca e vrazhdët dhe urdhërore! MASH,ka mekanizma të mjaftueshëm për të kontrolluar në mënyrë sistematike punën në çdo shkallë të mësimdhënies. Ka Inspektoratin e arsimit,Biron e zhvillimit të arsimit(BZHA),Këshilltarët e arsimit për secilën lëmi në veçanti dhe organe të tjera të cilat duhet në mënyrë permanente të bëjnë kontrollin e punës në arsim”, tha Kadriu.

Ai shtoi se në këtë cikël, duhet specialistët të jenë shumë vigjilentë,dhe njohës të mirë të materies për të cilën do të testojnë, me shumë kujdes duhet të japin shanse për një punë profesionale që nuk rrënon as autonominë e universiteteve por as edhe autoritetin e profesorit.

“Kjo do shumë maturi. Dhe këtë mund ta bëjë ministria e arsimit duke vepruar sipas parimit të transparencës dhe kohezionit. Ekspertët duhet të jenë njerëz të dëshmuar në fushat përkatëse e jo ushtar partiak të cilësdo parti politike. Çdo ndryshim,është dhimbje, prandaj dhe vështirë njerëzit si çështje e përkapin. Jo rastësisht,reagimi është edhe kaq i fuqishëm. Por kjo nuk duhet imponuar me dhunë e me çdo kusht. Mendimi im është që të lehet pak kohë e hapësirë që të gjithë të kthjellen, e të mendojnë se kjo bëhet për një interes më të madh shoqëror”, tha Kadriu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button