Kryeministri kinez: Me Shqipërinë miqësi tradicionale, thellojmë bashkëpunimin

Në prag të samitit të Beogradit, kryeministri kinez Li Keqiang theksoi se takimi në kryeqytetin serb do të shërbejë për të detajuar planin e bashkëpunimit me Shqipërinë në fusha si transporti dhe energjia.

“Miqësia e thellë tradicionale dhe besimi reciprok politik kanë çuar në ndërtimin e një themeli të fortë për bashkëpunim të mëtejshëm mes Kinës dhe Shqipërisë.Takimi në Beograd do të përshkruajë një plan më të detajuar për bashkëpunim në të ardhmen dhe për të hapur një derë edhe më të gjerë e më të favorshme bashkëpunimi”- tha Kryeministri kinez.

Kryeministri Li Keqiang theksoi se Shqipëria dhe Kina kanë një miqësi të thellë dhe tradicionale, duke përmendur edhe një shprehje të vjetër kineze e cila thotë se “miqtë janë si vera, sa më të vjetër aq më mirë”.

“Shqipëria dhe shumica e vendeve të tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën në ditët e para të themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949.”- tha kryeministri kinez.

Kryeministri Edi Rama do të jetë pjesëmarrës në samitin e vendeve të Evropës Juglindore dhe Kinës, që do të zhvillohet të martën në Beograd. Shefi i qeverisë shqiptare do të shoqërohet në këtë samit, nga ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ai i Transportit, Edmond Haxhinasto.

Samiti, në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, do të përbëjë një mundësi të mirë për të diskutuar për projektet që ka gjiganti aziatik për rajonin. Kina, i ka kushtuar mjaft vëmendje këtij samiti, pasi delegacioni do të jetë i përbërë nga mbi 100 pjesëtarë dhe 200 biznesmenë që do të marrin pjesë në forumin ekonomik./ BW

Lajme të ngjashme

Back to top button