Daçiq: Ashton është propaganduesja më e madhe e Serbisë

Ish shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian sot është propaganduesja më e madhe e Serbisë në tërë botës, ka deklaruar ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Gjatë një interviste dhënë gazetës serbe, Danas, Daçiq ka thënë se ai në fakt ka marrëdhënie më të mira me ministrat e rajonit pasi me ta shihet më shpesh, transmeton Indeksonline.

“Marrëdhënie të mira kemi me shumë ministra, e të mos flas për Catherine Ashton e cila sot është propagandistja më e madhe e Serbisë në të gjithë botën”, ka thënë kryediplomati serb.

Catherine Ashton e ka lehtësuar gjatë gjithë kohës dialogun politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, i mbajtur në Bruksel ku delegacionet e të dyja palëve janë udhëhequr kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë kësaj interviste shefi i diplomacisë serbe e ka përsëritur se pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve evropianë , Serbisë ende nuk i është thënë asnjëherë zyrtarisht se nëse dëshiron të anëtarësohet në BE, paraprakisht duhet pranuar Kosovën si shtet i pavarur, transmeton Indeksonline.

Ai ka thënë se zyrtarisht në fund të dialogut Kosovë Serbi duhet nënshkruar një dokument për normalizim i marrëdhënieve.

“…çfarë do të jetë përmbajtja e atij dokumenti, në këtë moment askush në BE nuk mund të jap përgjigje. Ne tani vetëm jemi duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, mirëpo kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka. Nëse vjen puna deri aty, atëherë do të sqarohemi për këtë. Momentalisht nuk ka asgjë alarmante”, thotë Ivica Daçiq. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button