Mërgimtarët, e jo qeveria, ndërtojnë shtëpi për ish ushtarin e UÇK-së

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe 14 vjet pas luftës vazhdojnë të përballen me mungesën e banimit. Përveç shoqatave të ndryshme humanitare dhe individëve zemërmirë, nga të gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe institucionet shtetërore, ndjehen të anashkaluar. Nazmi Ismajli, nga fshati Sibovc i Obiliqit është njëri ndër veteranët e UÇK-së që deri më tani së bashku me gruan dhe tre fëmijët jetonte në kushte të rënda të banimit, transmeton Kosova PRESS.

Mirëpo, falë shoqatës “Isa Boletini”, nga Sindelfingeni i Gjermanisë, ka zgjidhur këtë problem, pasi që tashmë i është ndërtuar shtëpia. Ai ndjehet i lumtur që më në fund po kalon fazën që ai e quan të mjerimit, porse apelon tek të gjithë që të vazhdojnë të njëjtën vepër, pasi që ka shumë ish luftëtarë të UÇK-së që jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje institucionale.

Nazmi Ismajli, rrëfen për Kosovapress se edhe pse kishte qëndruar 10 vjet në Gjermani, me të filluar lufta ishte kthyer në Kosovë, duke braktisur punën, jetën luksoze dhe gjithçka çka kishte atje.

Megjithëse vitet e pasluftës i shkaktuan vuajtje nga më të ndryshmet, ai ndjehet krenar që kishte veshur uniformën e UÇK-së dhe për asnjë moment nuk ndjehet pishman që i’u përgjigj kushtrimit të atdheut, ndërsa shprehet i entuziazmuar mbase shokët e tij edhe pas dy dekadash nuk e harruan.

Pas luftës si çdo ushtar tjetër i papunë, jeta u bë çdo ditë e më e vështirë duke jetuar në një shtëpi të vjetër. Por, duke ju falenderuar shokëve të luftës, shoqatës “Isa Boletini”, në Sindelfingen të Gjermanisë, të cilët më ndihmuan dhe ma ndërtuan këtë shtëpi. I falenderoj shumë. Nuk di si ta shprehu atë kënaqësi që e kam. Kam jetuar si të gjithë veteranët tjerë, të lënë anash nga të gjithë. Unë kisha bërë një apel tek të gjitha shoqatat jashtë vendit që t’u ndihmojnë shokëve të mi, të cilët janë të shumtë në gjendje të mjerueshme, ka pohuar ai.
Kontributi i bashkatdhetarëve nuk ka munguar asnjëherë, si në kohën para, gjatë, dhe pas luftës, mirëpo nuk mjafton vetëm angazhimi i tyre për të zgjidhur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen veteranët e UÇK-së.

Fehmi Mjeku, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, dega në Obiliq, pohon për Kosovapress se kjo shtëpi e ndërtuar nga mërgimtarët, është e para për këtë kategori në këtë rajon. Ndërsa, potencon se nevojat janë shumë të mëdha.

E falenderoj shoqatën bëmirëse ‘Isa Boletini’ në Gjermani për kontributin dhe ndihmën e dhënë këtij veterani dhe familjes së tij, sepse, është një numër i kosiderueshëm që kanë nevojë për këtë lloji ndihme. Është hera e parë që një shoqatë e tillë ka ndihmuar veteranët në komunën tonë. Këta na kanë ndihmuar edhe neve si shokë dhe bashkëluftëtarë të tij, por edhe si fshat e komunë dhe e falenderoj shumë këtë shoqatë, ka pohuar ai.
Punët në shtëpinë e ish ushtarit të UÇK-së Nazmi Ismajlit, janë në përfundim e sipër dhe se ditën në vazhdim do të përfundon e tëra. Sami Sadiku, një anëtar tjetër i kësaj shoqate, ndjehet i lumtur për faktin se po i mundësojnë një jetë më të mirë familjes Ismajli, por edhe ky apelon që të vazhdohet me ndërtimin e shtëpive për veteranët tjerë.

Deri tani punët kanë shkuar shumë mirë. Kanë mbetur edhe disa punë të vogla pa përfunduar për shkak të nivelizimit të dhënë. Jam shumë i gëzuar që një ish ushtar i UÇK-së me tre fëmijë dhe bashkëshorten, i cili ka jetuar në kushte shumë të vështira, kemi arritur që ta përfundojmë këtë shtëpi. Kërkojmë edhe prej shoqatave tjera që veprojnë në Gjermani ta marrin një iniciativ të tillë, ka pohuar ai.
Brahim Halimi, kryetar i shoqatës “Isa Boletini”, që vepron në qytetin e Sindelfingenit në Gjermani, ka deklaruar se kjo nismë nuk do të përfundojë me kaq, ngase sipas tij, në të ardhmen do të vazhdojnë edhe me ndërtimin e shtëpive tjera. Ai së bashku me kryesinë e shoqatës “Isa Boletini” ia dorëzuan çelësat e shtëpisë familjes Ismajli.

Këtë rast humanitar e kemi filluar duke pasur parasysh se po ka shumë familje të ndryshme skamnore të cilat kanë vevojë t’i ndërtojnë e nuk kanë mundësi. Ne si shoqatë jemi munduar që ta bëjmë një aksion të suksesshëm për grumbullimin e të hollave të cilat kishin me mundësua ndërtimin e një shtëpie. Ne kemi menduar që të ndërtohet edhe shtëpi tjetër. Mirëpo, kësaj radhe janë grumbulluar 9 mijë e 300 euro që nuk kanë mundësuar të bëhet më shumë se një shtëpi për Nazmi Ismajlin, ka pohuar ai.

Klubi “Isa Boletini” është formuar në vitin 1982 dhe ishte ndër klubet e para që u formua në Gjermani sipas udhëzimeve dhe strategjisë që në atë kohë e kërkonin veprimtarët e shquar tash dëshmorë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre përkrahës. Nga ajo kohë që më vonë u shndërrua në shoqatë, ky klub ka dhënë kontribut të paçmuar në organizimin e mërgimtarëve për t’i dal në ndihmë popullit shqiptar në të gjiiha format.

Lajme të ngjashme

Back to top button