Mustafa, Qosjes: Katërmbëdhjetë herë tmerrohu, e të pesëmbëdhjetën shko në Psikiatri!

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur Rexhep Qosjes, duke e akuzuar se është rrenc dhe se duhet të shkojë në Psikiatri. Postimin e Mustafës, në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni më poshtë.

“Rexhep Qosja qenka tmerruar katërmbëdhjetë herë që unë jam zgjedhur Kryeministër dhe që z. ThaçI ma ka dorëzuar detyrën. Herën e pesëmbëdhjetë Qosja le të shkojë te psikiatri.

Regjimi i Millosheviqit më ka ndjekur me padi penale dhe fletëarrest për cenim të integritetit territorial të ish Jugosllavisë dhe jam detyruar të dal e të jetoj nëntë vite në ekzil, e Qosjen nuk e ka prekur askush në Prishtinë.

Një rrenc i madh, si Rexhep Qosja dhe vetëm një mendje e degjeneruar si e tij, mund të prodhoj vrasës, armiq, ashtu siç kanë prodhuar njerëzit e UDB-as jugosllave, e sigurimit shqiptar. Me këtë logjikë Qosja kallte Shqipërinë në vitin 1997, dhe vazhdoi të sulmojë Ibrahim Rugovën e çdo bashkëpunëtor të tij.

Kur shoh se sa i tmerruar është Qosja, mburrem dy herë më shumë që unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, sepse nuk kam asgjë të përbashkët me te”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button