KULTURA SHQIPTARE DHE VITRET BIZANTINE

U bë një çerekshekulli qyshse shpirti ynë fitoi të drejtën e frymimit në foltoret e hyde park-ut[1] maqedonas. Ai e vazhdon edhe aktualisht rrugëtimin e mbijetesës përmes skilash e haridbash shumëdhëmbëshe, me shpresë se nuk do të nëpërkëmbet më nga mbeturinat e një sistemi antishqiptar, që dikton rritën tonë me hapa të kërmilltë.

Shi për këtë, ideja për ndërtimin e shoqërisë së të barabartëve dita-ditës shndërrohet në utopi dhe degjeneron në pritje të mundimshme, në dukuri të pranueshme si punë kismeti. Me ikjen e viteve po bëhet e qartë se në sferën e vlerave shpirtërore dhe jo vetëm, nuk do ta zëmë kurrë ritmin zhvillimor të etnive të qytetëruara. Ne sikur jemi pajtuar me statusin e kurfartë dhe harrojmë se vonesat e mëtejme na bëjnë të ndryshëm edhe nga vëllezërit tanë të gjakut e të gjuhës, të degdisur tutje shteteve ballkanike. Nuk e dimë edhe ç’përçmim duhet t’na ndodhë për ta kuptuar sa bie sahati?

Diskriminimin në fjalë e shpërfaq më së miri projekti i antikuizimit humoristik të një pjese të popullsisë maqedonishtfolëse, për ç’gjë ka dhënë milionat ministria e kulturës – ministria që për shpirtin shqiptar ndanë dokra. Po sa është në të vërtetë buxheti real i kësaj ministrie, nëse paguan edhe përmendoret e gjithsecilit që pandehet për maqedonas dhe sa përqind e tij ndahet për kulturën tonë?     Mos rastësisht kjo ministri ka fonde të posaçme për fillin e të cilëve shqiptarët nuk e kanë haberin?

Mbështetur në injorimet që i bëhen kulturës shqiptare, duket e paefektshme analiza e disbalanceve zhvillimore ndërmjet kulturës sonë dhe asaj të kombit të zotit. Por, për paradoks, në vend se të hidhërohen shqiptarët për shkak të fyerjeve të njëpasnjëshme që i bëhen dinjitetit të tyre, këtë e bën një pjesë e elitës kulturore maqedonase e yshtur për gjynah nga pushtetarët e papërgjegjshëm.

Mekami institucional që nëpërmjet padrejtësive ngre mure ndarëse kulturore, në një kohë kur bota i heq muret politike, disponimi negativ ndaj kulturës së etnisë së vetme që i pranon maqedonasit si shtet, si komb, si gjuhë dhe si culture, është neveritës dhe po i dekurajon edhe optimistët më fanatikë, që, më në fund, po e kuptojnë se s’ka çka presin prej pushtetarëve, të cilët shqiptarët i konsiderojnë të tepërt. Së këndejmi, kush nuk e di se të tillët nuk do të ndërmarrin kurrë inisiativën e hapjes së shtigjeve zhvillimore të shpirtit tonë, nëse këtë nuk e bëjmë vetë?

Ashiqare, të tjerët na duan vetëm si qenie inferiore, vetëm si masë amorfe të kollajshme për nëpërkëmbje, përçmime, fyerje pa fund… Të vetmit që janë të dëshirueshëm për pushtetin dhe pjesën e instrumentalizuar të elitës kulturore maqedonase janë personalitetet historike shqiptare, të cilët i përvetësojnë serbes, duke shfrytëzuar me mjeshtri  zemërgjerësinë e idiotshme me të cilën ne i falim kuotat e larta të etnisë, si: Leka i Madh, Skënderbeu apo Nëna Tereze. Natyrisht, ata i përvetësojnë me qejf dhe i identifikojnë me vetveten gjithë reliket e së shkuarës së vendit – kishat, manastiret, hamamet, sahatkullat, urat, kalatë dardane, eksponatet arkeologjike… Këto përvetësime i bëjnë me babëzi të paparë, ndoshta më shumë të shtyrë nga ndjenja e lënies sonë cullak se sa nga gjakimi për t’stolisur vetveten me puplat e të tjerëve. Në kushte normale ekzistence marrja me fenomenet e këtilla do të dukej çështje e ulët, po ne jetojmë në Ballkan, në cepin më të pacivilizuar të saj, ku gjërat kanë aromë tjetërfare, ku është anakronike rritja e rasatit të kosmopolitëve. Ndaj, në këso rrethanash, çështje mbi çështjet është: si të nxirret nga llagëmi i pashpresës shpirti ynë kolektiv?

Përgjigja duket se po na lëvarret për qerpikësh, sepse: pas përpjekjeve çerekshekullore për frymimin e lirë të shpirtit tonë, pas angazhimeve të sinqerta dhe pritjeve të stërgjata për zgjidhjen e çështjeve hap pas hapi, pas shijimit të të gjitha metodave të mundshme për të dalë nga dimensioni i robit, biles edhe pas një lufteje të përgjakshme për një status të barabartë të qenies sonë në të gjitha fushat e jetës…, ndoshta ka mbetur vetëm edhe një rrugë – ajo e institucioneve paralele kulturore dhe insistimi serioz për të shkëputur 25 përqindëshin e mjeteve dedikuar hallkës më të ndjeshme të vlerave të një civilizimi. Udhët tjera shpiejnë sërish drejt vitres dhe mëshirës bizantine, drejt robtimit të vrulleve tona, drejt avullimit të energjive creative e qytetëruese.

[1] Hyde park është parku ku anglezët kanë vendosur foltore ku shkojnë e mbajnë fjalime antiqeveritare njerëzit e pakënaqur me politikat shtetërore…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button