Erjon Braçe: Të hapen dosjet e SHIK-ut!

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, propozon që Kuvendi të hapë dosjet e Shërbimit Informativ Kombëtar sepse shumë çështje janë të lëna pezull dhe në errësirë, siç është edhe përgjimi i zyrtarëve të lartë. Qëndrimin e tij, e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, i cili thotë se SHIK-u është një nga strukturat më kriminale në vitet 1992-1997.

“Ka ardhur koha që Shërbimi Informativ të bëjë transparencën duke nisur nga çështjet e lëna pezull së fundmi. Çështja e përgjimeve të një grupi të gjerë politikanësh. Mund të jetë veprim i kryer edhe përkundër qytetarëve të ndryshëm, për sa kohë një aktivitet i tillë është tërësisht jashtë kontrollit. Duhet zgjidhje, duke nisur nga transparenca për çështjet e vjetra deri tek këto të fundit, të rejat”,-shkruan Braçe në Facebook.

Gjithashtu ai pretendon se SHIK-u është i përfshirë në zhdukje e vrasje personash në masë. Aktiviteti kriminal, sipas tij ka qenë më i aktivizuar përgjatë viteve ’92-’97.

“Shërbimi Informativ Kombëtar ka qenë një prej strukturave më kriminale në vitet 1992-1997, mbështetur fort në rekrutime kriminale, metoda kriminale, përfshirë në vrasje e zhdukje personash, aktivitet kriminal në fushën ekonomike e të trafiqeve të ndaluara, për të ardhur në përfshirjen kriminale në rezistencën e regjimit të parë të Sali Berishës ndaj revoltës popullore të dimrit 1996 – pranverës 1997! Të paktën, për rrëmbimin, torturimin, vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës”, akuzon deputeti i PS-së. /Gazetashqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button